Dhjetëra nxënës të shkollave fillore zunë sot ambientet e Kuvendit të Komunës së Ferizajt. Ishin anëtarët e Asamblesë së Fëmijëve në Ferizaj, në krye me kryetaren Azra Maksuti që sot ishin mbledhur për të shënuar 20 Nëntorin – Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve. Të pritur nga drejtorë komunal e Kryesuesja e Kuvendit të Komunës dhe zyrtarë të Drejtorisë së Arsimit në Ferizaj, fëmijët shfaqën interesimin e tyre për punën e ekzekutivit të Komunës dhe Kuvendit të Komunës. Shpjegimet për këtë i dhanë bartësit e këtyre institucioneve të pranishëm në këtë takim.
Ky vit që po shënon edhe 1 vjetorin e ristrukturimit të Asamblesë së Fëmijëve në Ferizaj, solli gëzim e interesim të fëmijëve për punët publike. Drejtori i Drejtorisë së Arsimit, Afrim Llabjani duke i siguruar këta të fundit për mbështetjen e kurdohershme, tha se qeverisja e udhëhequr nga Kryetari Aliu ka në fokus të veçantë promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, çka vijoi me njoftimin e aktiviteteve dhe planeve që janë realizuar tash e një vit për fëmijët nga ana e organeve të pushtetit lokal. Me shpjegimet dhe diskutimet për rolin e rëndësinë e institucioneve të shtetit, funksionimin e tyre dhe agjendën e të drejtave të fëmijëve u mbyll aktiviteti në sallën e seancave të Kuvendit të Komunës.
Manifestime për këtë ditë pati sot edhe në sheshin kryesor të qytetit, ku nxënës të shkollës “Ramadan Rexhepi” në Sojevë, realizuan e morën pjesë në një varg aktivitetesh për shënimin e kësaj dite.