Forumi i psikologëve dhe nxënësve lidhur me përdorimin e internetit të sigurtë nga fëmijët, në Qendrën e Kompetencës në bashkëpunim me Drejtorinë e Arsimit, shënuan Ditën e Internetit të Sigurtë.
“Dita e Internetit të Sigurtë”, si ngjarje shënohet çdo vit me qëllim që të rrisë vetëdijen qytetare mbi përdorimin e përgjegjshëm, të kujdesshëm dhe kreativ të internetit dhe teknologjive.
Ashtu si në vitet e kaluara, Komiteti Kosovar për Ditën e Internetit të Sigurtë (KKDIS) i udhëhequr nga Qendra për Studime të Avancuara FIT (anëtare e rrjetit ndërkombëtar Safer Internet Day), shënon Ditën e Internetit të Sigurtë duke organizuar aktivitete të ndryshme gjatë gjithë javës. Me qëllim që shoqëria jonë të krijojë kushte që fëmijët të kenë përvojë më të mirë në internet, do të zhvillohet një fushatë vetëdijësuese për fëmijë dhe të rinj të të gjitha komuniteteve. Disa prej aktiviteteve, si debate dhe forume me prindër, mësimdhënës dhe nxënës, janë organizuar në kuadër të projektit të financuar nga Bashkimi Evropian, ‘Së bashku Kundër Abuzimit të Fëmijëve (TACA)’, që po zbatohet nga Qendra për Arsim e Kosovës (KEC) dhe Qendra për Studime të Avancuara FIT”.
Një aktivitet i tillë është mbajtur edhe në Komunën tonë, ku ekspertë të kësaj fushe, psikologë shkollash, studentë dhe nxënës kanë kontribuar në forum me diskutime të vlerësuara lidhur me përdorimin e sigurtë të internetit nga fëmijët dhe të rinjtë.