19,11,2024

Ferizaj shënoi 12 Vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

Must Read

Lumë i gjatë qytetarësh, drejtues të institucioneve të shtetit, deputetë të Kuvendit të Republikës, përfaqësues të jetës publike, politike në Ferizaj e më gjerë, të prirë nga Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu vizituan sot, Kompleksin Memorial të Varrezave të Dëshmorëve të Kombit të UÇK-së në Ferizaj, për homazhe e përkujtim të sakrificës heroike të Dëshmorëve të Kombit në 12 vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Dhjetëra karanfilë mbi gurët e varreve ku pushojnë eshtrat e më të përndriturve të kombit, Dëshmorëve të Kombit, ishin gërshetimi i dhembjes e krenarisë që pllakosën qindra qytetarë në përkujtimin e sakrificës për liri.

E i pari i Ferizajt, Agim Aliu me fjalën përshëndetëse në Akademinë Solemne që u mbajt në Teatrin “Adriana” enkas për shënimin e 12 vjetorit të pavarësisë tha se Kosova është kurorë heronjsh për amanetin e së cilëve, gjithsecili ia kemi borxh të ardhmen e saj.

“Erdhi viti i dytë pas dekadës së parë të pavarësisë! Erdhi e frymon bashkë me ne, liria e ëndërruar ndër shekuj për Kosovën. Erdhën edhe sot, fytyrat e njoma të martirëve e dëshmorëve, të mbledhur tok në një zë urimi e gëzimi se gjaku i tyre, u shpërblye. Erdhën e do të vijnë breza të tjerë, t’i falin djersën, përpjekjen, flijimin, buzëqeshjen e kurrë lotin – Kosovës. Bëmë 12 vjet! Pavarësinë e shtetin, nuk na i fali askush. E merituam, sakrifikuam, lamë eshtrat e stërgjyshërve e u ndalën në mes mijëra jetë, mijëra thirrje fëmijësh, nënash e baballarësh, lum lotësh vuajtjesh e robërie. Kemi sot, Kosovën e pavarur -Republikë, – emrin më të shtrenjtë që mban në mendje e zemër gjithsecili shqiptarë.Si në vargje poetësh të lashtë, si ndër kreshnikë e këngë që anës malit jehonin mes majave të Dardanisë, Kosova lindi viganë. Lindi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës që shkruan me gjak pavarësinë. Lindën për të mos vdekur kurrë qindra heronj, dëshmorë e martirë. Më shumë së kurrë, tash, çdo zyrë shteti, çdo rrugë e shesh i Republikës, secili damar i qenies sonë politike e shoqërore, i ka borxh Kosovës të ardhmen. E djeshmja jonë na sheh me lakmi. Ferizajn dhe gjithë Kosovën, e nesërmja, pa më të voglin dyshim, do ta gjej më të begatë. Për këtë merr kuptim çdo çast i qeverisjes, pesha e vullnetit për të ndarë fatin, gëzimet e sfidat me qytetarët, që ëndrra e dëshirat e kahmotshme, të mezipritura, të shkëlqejnë e ndrisin jetën e gjithë qytetarëve tanë” tha mes tjerash Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu.

Me fjalë rasti të pranishmëve në emër të shoqatave të dalura nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Ferizaj iu drejtua Rafiz Sejdiu – Kryetar i OVL-së UÇK-së në Ferizaj. Ai tha se sakrifica e heroizmi i djemve e vashave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, bëri ëndrrën e pavarësisë e lirisë realitet, për çka brezat e ardhshëm kanë detyrimin ta forcojnë e zhvillojnë edhe më tutje, shtetin e Kosovës.

Me këngë e pjesë tjera artistike nga kori dhe orkestri i shkollës së muzikës “Çesk Zadeja”, u mbyll pjesa e Akademisë Solemne për 12 vjetorin e Pavarësisë, për të vijuar me aktivitete të tjera gjatë ditës të parapara me kalendarin e manifestimit kulturor për shënimin e 12 vjetorit të Pavarësisë.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Aksident në Ferizaj, përfshihen tri vetura – lëndohen 5 persona

Pesë persona janë lënduar si pasojë e një aksidenti në mes tri veturave ne Ferizaj. Aksidenti ndodhi në rrugën...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img