Këtë të enjte në sallën e Kuvendit të Komunës, është mbajtur diskutim publik për rregulloren për taksa, tarifa, ngarkesa dhe gjoba komunale. Me këtë rast Kryesuesja e Kuvendit të Komunës së Ferizajt, Kristina Gashi-Bytyqi, ka theksuar se kjo rregullore përcakton lartësinë e taksave, tarifave, ngarkesave dhe gjobave për shërbimet e zhvilluara me procedurat administrative në territorin e Komunës së Ferizajt.
Për rëndësinë e kësaj rregulloreje ka folur edhe drejtorja e financave Sebahate Ajeti-Sadiku. Drejtorja Ajeti-Sadiku, ka njoftuar të gjithë të pranishmit në lidhje me ndryshimet që ka pësuar kjo rregullore nga rregullorja e kaluar.
“Kjo rregullore ka për qëllim përcaktimin e taksave, tarifave, ngarkesave dhe gjobave për shërbimet administrative që kryhen në institucionin e komunës së Ferizajt. Kjo rregullore aplikohet për të gjithë personat si ata fizik dhe juridik që shërbimet e tyre i kryejnë në komunë. Vlen të theksohet në rregulloren e vjetër kemi pasur taksë edhe për ushtrimin e veprimtarisë afariste për biznese, ndërsa në këtë rregullore i kemi hequr të gjitha pagesat për ushtrimin e veprimtarisë afariste”, ka thënë drejtorja Sebahate Ajeti-Sadiku.
Ndërsa qytetaret ferizajas, kanë pasur kërkesa nga më të ndryshmet për këtë rregullore, të cilat pritet të inkorporohen në rregulloren për taksa, tarifa, ngarkesa dhe gjoba komunale.
Pas këtij dëgjimi publik kjo rregullore pritet të dal në mbledhjen e radhës së Kuvendit të Komunës për miratim.