Ferizaj.21.09.2018. Pasditen e sotme, në ambientet e Kuvendit të Komunës së Ferizajt, u mbajt një ligjëratë ku rreshteri Braden Schrag, ekspert i sigurisë në bashkësi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i ftuar nga Ambasada Amerikane në Prishtinë, ligjëroi mbi temat: Policimi në bashkësi dhe parandalimi i terrorizmit, si të bëhet bashkësia imune ndaj formave të ekstremizmit si dhe ngritja e mekanizmave dhe nismave të ndryshme për të ruajtur sigurinë publike. Në këtë prezantim gati një orësh eksperti Schrag shpjegoi para të pranishmëve format dhe praktikat më të mira të zbatuara në shtetet e zhvilluara, veçanërisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Të ftuar në këtë takim, ishin pjesëtarë të Policisë së Kosovës, ekipet vepruese për siguri në bashkësi, studentë, drejtues të institucioneve dhe zyrtarë shtetëror. Ata drejtuan disa pyetje dhe komente mbi këtë temë, me ç ‘rast morën përgjigje nga eksperti amerikan.
Kjo temë zgjoi interesim edhe nga komuniteti, me ç ‘rast u prezantuan disa nja veprimet e ndërmarra në rang lokal nga institucionet gjegjëse. Rajoni i Ferizajt, paraqet një ndër zonat ku janë shfaqur elemente radikale, për të cilat janë marr masat adekuate përkitazi me legjislacionin në fuqi.
Ligjërata e sotme shërbeu që të prezantohen më mirë para kompetentëve të fushës së sigurisë, mekanizmat dhe nismat e ndryshme që mund të ndërmerren me qëllim ruajtjen e sigurisë publike.
Eksperti amerikan Braden Schrag, ligjëroi në kapacitet personal dhe pikëpamjet e tij nuk paraqesin pikëpamjet e Ambasadës Amerikane apo institucionit prej nga vjen.