Instituti Kombëtar i Shëndetësisë ka njoftuar sot në Kosovë janë identifikuar 8 raste të reja me koronavirus, katër nga Vushtrria, tri nga Prishtina dhe një në Pejë, shkruan Gazeta Metro.
Kjo u bë përmes një njoftimi për media, ku u bë e ditur se numri i të prekurve ka shkuar në 79.
“Rastet e konfirmuara pozitive janë 4 raste kontakti me vendbanim në Studime të ulët Vushtrri, 3 raste me vendbanim në Prishtinë dhe 1 rast kontakti me vendbanim në Llugagji-Pejë”, thuhet në komunikatë.
Njoftimi i plotë:
Sot me 26.03.2020 në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar tetëdhjetë e nëntë (89) mostra të marra nga rastet e kontakteve në terren si dhe të rasteve të hospitalizuara në Klinikën Infektive. Nga këto mostra të marra për testim në virusin SARS-CoV, tetë (8) prej prej tyre kanë rezultuar pozitive. Sot kemi lajmin e mirë se një pacient është i shëruar bazuar në rekomandimet e OBSH-së ku dy mostra rezultojnë negative me së paku një ditë distancë kohore.
Rastet e konfirmuara pozitive janë 4 raste kontakti me vendbanim në Studime të ulët Vushtrri, 3 raste me vendbanim në Prishtinë dhe 1 rast kontakti me vendbanim në Llugagji-Pejë.
Nga data 08.02.2020 deri me 26.03.2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 855 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre, gjithsej shtatëdhjetë e nëntë (79) raste kanë rezultuar pozitive, me një (1) rast të vdekjes i një të moshuari 82 vjeç.
Në IKSHPK në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke iu obliguar për vetëizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome. Deri më sot janë kontaktuar dhe janë nën mbikëqyrje 1514 kontakte të rasteve.