Paraditen e sotme, i pari i Ferizajt, Agim Aliu bashkë me anëtarët e Shtabit Emergjent Lokal priti sot një delegacion të Ministrisë së Punëve të Brendshme, të përbërë nga koordinatori për bashkëpunim me Komuna, Hajriz Sejdiu dhe Faik Zekaj, këshilltar e anëtar në komisionet e kësaj ministrie në lidhje me këtë situatë pandemike.
Temë e diskutimit në këtë takim ishte menaxhimi lokal i pandemisë, specifikuar sipas veprimeve të ndërmarra në Komunën e Ferizajt. Koordinatori Sejdiu, shprehu vlerësimin e lartë të punës të të parit të Ferizajt, Agim Aliu dhe gjithë shtabit emergjent lokal për menaxhimin efikas e të sukesesshëm të pandemisë në rrafshin lokal. Ai shtoi se Ministria e Punëve të Brendshme është e gatshme të ofroj gjithë bashkëpunimin e nevojshme përkitazi me ballafaqimin më të lehtë të kësaj situate.
Në anën tjetër, i pari i Ferizajt, Agim Aliu pasi bëri bilacin e gjithë gjendjes dhe veprimet që janë marr nga ana e Shtabit Emergjent Lokal, vuri theksin tek nevoja e shtimit të veprimeve të nivelit qendror në raport me komunat për ballafaqimin më të lehtë të kësaj situate. Veçanërisht u diskutua tema e furnizimit me oksigjen për pacientët e infektuar me COVID-19, funksionalizimi i objektit të ri të Qendrës Rajonale të Shëndetit Publik në Ferizaj për nevoja të pandemisë si dhe tema të tjera që kishin të bënin me zbatimin e masave mbrojtëse dhe institucionet zbatuese si Policia e Kosovës dhe Inspektorati i Komunës.
Kryetari Aliu nënvizoi nevojën urgjente të funksionalizimit të objektit të ri të Qendrës Rajonale të Shëndetit Publik që do të lehtësonte mjaftueshëm menaxhimin nga stafi shëndetësor i rasteve të infektuara. Ai shtoi se sa i përket furnizimit me oksigjen por edhe një varg veprimesh tjera në rrafshin lokal, Komuna e Ferizajt ka ofruar zgjidhje për Spitalin e Ferizajt, duke mos pritur vonesat e procedimit të tyre nga ana e nivelit qendror.
Delegacionet e dy palëve ranë dakord për intensifikimin e bashkëpunimit, koordinimin e veprimeve në dobi të menaxhimit të suksesshëm të pandemisë COVID-19.