Aktori i mirënjohur, Çun Lajçi, është autor i plot 11 veprave, të cilat ai i ka botuar.
Të shtunën e 15 gushtit, ai doli për të shitur disa prej kopjeve të tyre në Ferizaj.
Një i panjohur u afrua drejt tij për t’i blerë të gjitha veprat në shitje të aktorit, duke i thënë se këtë gjest e kishte të fala nga këngëtari dhe ish-deputeti Labinot Tahiri.
Në një status të gjatë të publikuar në rrjetin social Facebook, Çun Lajçi tregon se si më pas e telefonoi për falënderime Labin dhe çfarë biseduan së bashku.
Ai tregon se këngëtari dhe ish-deputeti i cili njihet për aksionet e tij të shumta humanitare, i kishte thënë se si për të do të duhej përkujdesja e shtetit, e cila sipas tij nuk ndodh për artistët e shkrimtarët por për “hajnat”.
Ky është postimi i tij i plotë i Lajçit:
“Qe se si u shiten sot “Bastardët” n’Ferizaj
Faleminderit Lab!
Nji plak m’pat thanë, kur vajzën e pata nji vjeçe: O duje bre, duje, se mall ke me pasë!
Dhe ashtu m’doli mbas 33 vitësh!
Nji tjetër tha, duhesh shumë me ble për me shitë veç pak!
Dhe ashtu doli.
Mbas 11 librave, dola me shitë, e mos me ia varë veshin kujt, se bleva plak e t’ri!
Njenit i thanë pse kallamoqi yt ma i shtrejt? Ky kojshiu yt po i pjekë e lirë po i shet!
Po, i tha, ashtu asht, se e ka vjedhë n’arën time!
Unë librat i kam nxjerrë nga shpirti si pjezgat n’thojtë e gishtave tue m’pikë gjakë, dhe i shes si dua e sa dua!
I ngarkova 74 vite libra e dola me xhesdisë Kosovës. Edhe shes, edhe i kthehem kohës, thashë, kur shitsha pula e ve, për m’u ba ky që jam: Artist i 200 roleve dhe 11 veprave!
Jo edhe e leht për ket moshë!
Por e mata dhe e çmata, si Dyli n’Karvanin e Azemit, thashë, tash kur mali i ka hangër derrat e egër, mos prit gja t’mirë. Kqyre vetën edhe ndonji ditë, sa s’ke pikë si dardha!
Pejë, Gjakovë e Prizren i trupova, e nuk m’doli fort mirë. Tasjanin thashë po e provoj. E rrehin ernat e Lubotenit, e mund t’freskojnë sa do pak!
Dola n’qendrën e Ferizait, të njaj Hotel që mbanë emnin e asaj Maje t’nalt, Luboten mbi Sharr!
S’me njofti kush, ulun mes librave t’mi. Mbase maska i ka fajet, jo plakja, thashë, për ta ngushëllua vetën!
Dy t’rijve u thash, kthejeni kokën bre, e mos t’iu dhamin sytë, se librat i kanë çikat e bukura, që s’shihen pa i lexua. Hej sa t’amla janë.
Qeshen ata e unë, por s’u ndalen.
Nji tjetër djalosh m’u afrua. Axhi, nji kafe deshta me ta pru nga hoteli. Çfare e don?
E porosita nji pa plumb!
Ma nënshkruej edhe librin, se dua me ia dhurua babit!
Hej sa mirë m’erdhi!
Por nuk zgjati kjo shfaqje edhe shumë.
E dini pse?
Ai kangëtari, qe nji pjesë t’zanit e t’shpirtit, e shkrinë për t’smutit e skamnorët, kishte marrë vesh nga shokët që e ndihmojnë në bamirësinë e tij, se Çuni asht n’shesh me libra, dhe e kishte dergua Alban Begën.
Erdhi n’emnin e tij e m’tha: Ke t’fala nga kangëtari e humanisti Labinot Tahiri! E nje?
Çova kryet, që m’vlonte nga dielli dhe e shikova!
Labinotin?
Aha, po more po, po kush s’e njeh i thashë dhe ula kokën!
Baca Çun, vazhdoi Albani, Labi m’porositi me t’i ble krejt librat, se po don m’ua falë nxansave që s’e kanë mundësinë me i ble!
Dhe prap e çova kryet.
E shiqova a e ka përnjimend!
Prit pak, i tha n’telefon dikujt, dhe ma dha celularin.
Foli baca Çun Labit, foli, se asht n’Shqipni!
– O artist, s’jam aty se vet do t’kisha ardhë me t’përqafë, e me t’thanë, se je ndër të rrallët që i patëm, e nuk dua me t’pa rrugëve tue ba hallku me ty pazar!
Librat janë t’miat, e Albani t’i jep paret. Numëroi sa libra i ke, e pije kafën, e shkruej e kurrë mos t’u shtert pena e mendja.
Shteti asht dashtë m’u kujdesë për krijuesit e vet, jo për hajnat!
Kur e mbylla bisedën, diqysh sikur ndjeva dhimbje që po mbes pa libra!
M’shkoi mendja të ai Begu, që ia kishte pasë ble veglat muzikore jevgut, e ai mbas dy ditëve ia kishte pasë kthye paratë: Merri i kishte pasë thanë, se vallahi s’muj pa kangë!
Buzëqesha, kur m’ra nder mend, se i kam edhe 800 “Bastardë”, edhe 500 “Kur fryjnë ernat” e 700 “Përgamenë e djegun” n’banesë. Eh thashë, muj
me xhesdisë Kosovës edhe dy vite n’paça ymer!
Ndaj nisa ta shkruej nji falenderim t’vorfun, për nji kangëtar bamirës t’madh!
– Ty Labinot që ndanë nga djersa jote, e juve shokëve të tij, që ditë-natë lypni pare për spitalet e fëmijve tonë, kurrë Zoti mos u harroftë. Mos t’lashtë ai za, që Zoti ta ka dhanë me fitua bukën e fëmijve tu, e me i sherua fëmijët tanë, këtu e n’Stamboll!
N’shqiptarin sy-shpërlamë, mos llogaritni, se ai e harron edhe babën e vet! Ju ndëgjojeni zemrën e mendjen, blejni sa t’jeni t’ri, për me mujt me shitë diçka kur t’burrnohi, e kush mos me mujt me iu thanë: Mos shitni mend!
E ju, thoni çka të doni e si të doni, por edhe nji artist humanist e veprimtarë si Labin, s’e keni pasë e s’do ta keni!
Me hesap as si Çunin, se si Nexhmien, Farukun e Bekimin, e qinda të tjerë, jo se jo!
Kot letrat e dekoratat pa vlerë mbas vdekjeve! Kot!
Faleminderit Labinot, kangë e tasjanit e Maje e Luboteni!
(Çuni me “Bastardët” që tani po me dukën pak)!
Ferizaj, 15.08.2020″, ka shkruar Çun Lajçi në Facebook.