26,11,2024

Bechteli do ta lidhë Ferizajin e Vitinë me autostradë – por s’dihet për sa pare

Must Read

Autostrada “Arbën Xhaferi” nuk ka përfunduar së ndërtuari ende, pavarësisht se përurimi i saj u bë dje. Punimet në të do të zgjasin deri në fund të  vitit të ardhshëm. Kaq kohë pritet të marrin punët shtesë për ndërtimin e dy lidhjeve në Ferizaj dhe Viti dhe mbikalimin në Paldenicë. Por, se sa do të kushtojnë këto tri projekte, nuk po e dinë as në Ministrinë e Infrastrukturës. Ndërkohë, edhe këto punime i janë besuar “Bechtel&Enkas”, që për vonesa në pagesa gjobiti shtetin me 53 milionë euro.

Arjeta Shabani

Rreth pesë vite më parë në një ceremoni shtetërore ishte prerë shiriti që shënonte fillimin e punimeve për ndërtimin e autostradës që do të afronte Prishtinën me Shkupin.

Autostrada që mban emrin e politikanit shqiptar të Maqedonisë së Veriut, Arbën Xhaferi, sipas kontratës fillestare parashihej që t’i kushtonte shtetit rreth 600 milionë euro.  Por, gjithçka ndryshoi me fillimin e punimeve.

“Tkurrja” e buxhetit të Kosovës, zvarritja e punimeve dhe e pagesave ndikoi që autostrada t’i kushtonte shtetit rreth 700 milionë euro. Gjithë këto para u derdhën në xhirollogarinë e konzorciumit turko-amerikan “Bechtel&Enka”, kompani e cila ishte e kontraktuar për kryerjen e punimeve.

Ndërkohë, pas më shumë se gjysmë dekade punime, kjo autostradë arriti që të përurohej tek dje. Në ceremoninë e përurimit morën pjesë krerët e shtetit, përfaqësues të Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe ambasadorë të akredituar.

Por, edhe pse kjo autostradë u lëshua për qarkullim dje, punimet për ndërtimin e saj nuk kanë përfunduar plotësisht.

Me kërkesë të Ministrisë së Infrastrukturës, Qeveria ka marrë vendim për zgjatjen e afatit të Kontratës për ndërtimin e Autostradës R6 “Arbën Xhaferi”, Prishtinë –  Hani i Elezit, deri në dhjetor 2020, për punët shtesë në ndërtimin e dy kyçjeve në Ferizaj dhe Viti dhe mbikalimin në Paldenicë.

Por, se sa do t’i kushtojnë buxhetit të shtetit këto punime , ende nuk po e di askush.

Në Ministrinë e Infrastrukturës i kanë thënë Gazetës Express se ende është herët të flitet se sa do të kushtojnë këto tri projekte.

“Siç edhe e keni cekur, vendimi nga Qeveria e Republikës së Kosovës, për kyçjet në Ferizaj e Viti dhe mbikalimin e Paldenicës së Hanit të Elezit, është marrë gjatë kësaj jave. Rrjedhimisht është ende herët të flitet për çmim konkret se sa do të kushtojnë këto tri projekte, meqë duhet të bëhen paramasat dhe parallogaritjet e projektit”, kanë thënë nga kjo ministri.

Zyrtarja për Informim, Fillojeta Konjuhi ka deklaruar se punimet shtesë në këtë autostradë i janë besuar sërish “Bechtel&Enkas”, derisa ka shtuar se këto punime po bëhen për lëvizje të lirë të qytetarëve. 

E se sa do të jetë shuma e gjobës që ka paralajmëruar Ministri Lekaj për këtë kompani, në MI nuk preferojnë të flasin. Derisa thonë se borxhi që shteti i ka konzorciumit turko-amerikan është duke u paguar në mënyrë kontinuale dhe se pjesa e mbetur e borxhit do të përfundojë deri në qershor.

“Bechtel Enka do të punojë përsëri, meqë standardet tejet të larta në të cilat është ndërtuar autostrada R6 “Arbën Xhaferi”, kërkojnë edhe kyçje të nivelit të atillë që nuk do të pengonte në lëvizjen e lirë të qytetarëve. Opinioni do të njoftohet me kohë për shumën ndalesë ndaj Bechtel Enka, ashtu siç ka paralajmëruar ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekaj”, thuhet në përgjigjet e Konjuhit drejtuar Gazetës Express.

Ndërkohë, për gjobën që Qeveria e Kosovës duhet ta shlyejë ndaj kësaj kompania, ditë më parë në Ministrinë e Infrastrukturës kishin treguar se po i vjen fundi.

Zyrtarë të kësaj Ministrie i kishin thënë Gazetës Express se Shteti i ka borxh “Bechtel&Enkas” vetëm edhe rreth 9 milionë euro.

Ndryshe, për shkak të mosrespektimit të kontratës, kompania amerikano-turke kishte detyruar Qeverinë e Kosovës të paguaj 53.1 milionë euro.

Arsyet ishin për zvarritje të punimeve, si dhe për vonesa në pagesa të mjeteve në të kundërtën kushtëzuan se i ndërpresin punimet në Autostradën “Arbën Xhaferi” për ta dërguar lëndën në Arbitrazhin ndërkombëtar. Menjëherë pas këtij paralajmërimi, Qeveria Haradinaj mori vendim që ta shlyejë këtë borxh.

Kyeministri Ramush Haradinaj pati thënë se po i ndajnë këto para për të mos u përballur me procese gjyqësore.

Ky vendim i të parit të ekzekutivit është vënë nën llupën e organeve të hetuesisë.

Kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi kishte konfirmuar se Prokuroria dhe Policia Hetuese janë duke mbledhur të dhëna lidhur me ndarjen e 53 milionë eurove shtesë për këtë kompani.

“Prokuroria, së bashku me Policinë Hetuese, do të mbledhë të dhëna dhe informacione të nevojshme për t’u siguruar se a ka dyshim të arsyeshëm se a është kryer ndonjë vepër penale për të cilën ndjekja ndërmerret sipas detyrës zyrtare“,kishte thënë Lumezi./Gazeta Express

- Advertisement -spot_img
Të fundit

30 gra udhëheqëse të agrobizneseve përfitojnë 300 mijë euro grante

Drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë, Burim Bajrami mori pjesë sot në tryezën tematike "Mundësitë e grave në sektorin bujqësor,...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img