Por një ditë më pas, ndërsa situata është qartësuar disi, duket se mungojnë faktet bindëse kundër të arrestuarit, shkruan Top Channel.
Shtypi austriak shkruan se i dyshuari, me nënshtetësi austriake dhe origjinë shqiptare, i identifikuar si Lorenc K., u mor në pyetje gjatë gjithë natës nga hetuesit, të cilët nuk kanë folur në detaje për atë që kanë zbuluar.
Mësohet se babai i të dyshuarit jeton gjithashtu në Austri, por duket se nuk kishte dijeni për planet e mundshme të të birit. Megjithatë, theksohet se është ende e paqartë sa i rrezikshëm, apo i padëmshëm është 18-vjeçari.
Disa avokatë të famshëm në Austri janë të gatshëm të marrin përsipër mbrojtjen e tij dhe kjo konsiderohet si një shenjë se provat dërrmuese kundër tij mungojnë, të paktën deri tani.
Në orët e para pas arrestimit të tij, policia austriake tha se veproi bazuar në informacionet e një shërbimi të huaj inteligjent dhe pasi përgjoi të dyshuarin për disa ditë vendosi ta arrestonte.
Por, pas kontrollit të një apartamenti ku ai kishte qëndruar nuk u gjet asnjë mjet shpërthyes apo armë e ndonjë lloji tjetër. Hetuesit thanë se kanë gjetur disa telefona celularë dhe se ata po vlerësohen.