Projeksionet buxhetore për vitin e ardhshëm parashohin që në vitin e ardhshëm që në komunën e Ferizajt të investohet në projektin e Stacionit të autobusëve por edhe në dy projekte tjera mjedisore. Ndonëse për të parin po thuhet se realizohet në kuadër të mjeteve të komunës për këto dy të fundit pritet një përkrahje materiale nga Ministria e Ambientit dhe Planifikimit hapësinorë.
Madje Drejtori i Drejtorisë së Urbanizmit në Ferizaj, Lulzim Aliu ka potencuar se projekti i Stacionit pritet të kryhet Brenda afateve të parapara.
“Në këtë buxhet të vitit të ardhshëm është edhe ndërtimi i stacionit të Autobusëve. Pra është projekt dyvjeçarë por në vitin e ardhshëm fillon dhe do të realizohet. Nuk është projekt i madh, është projekt i përballueshëm për buxhetin e komunës” ka thënë Aliu.
Për më tepër po punohet që në bashkëpunim me nivelin qendror të sigurohen fonde investive për projektin e Bifurkacionit. Tashmë po planifikohet që në zonën ku shtrihet ky fenomen të sigurohen rezerva të ujit.
“Ministria ka ndarë një fond të vogël për Bifurkacionin , diku 200 mijë euro të cilat nuk janë shfrytëzuar deri më tani prej vitesh. Ne kemi bërë projektin e Bifurkacionit, pra sigurimin e ujit të mjaftueshëm për Bifurkacionin dhe kemi trajtuar të gjithë zonën rreth tij dhe kemi bërë një projekt në vlerë afër 2 milion euro për të cilin Ministria e Mjedisit është duke na përkrahur” ka thënë Aliu.
Ndryshe në këtë zonë po mendohet të ndërtohet edhe një bulevard, që në kuadër të projekteve ambientale, nga se zona në të cilën pritet të ngritet do të shërbejë si shëtitore.
“Është ndërtimi i bulevardit në mes të shkollave të mesme dhe Qendrës sportive. Do të jetë një shëtitore emirë, një shëtitore e gjerë, ku qytetarët do të dalin dhe të shëtisin. Kjo shëtitore do të lidhet edhe me pjesën e Bifurkacionit ku do të bëhet një kompleks i jashtëzakonshëm. E gjithë kjo është duke u bërë me qëllim të shkarkimit të qytetit dhe mundësia e jetës normale, balancim mes jetës në qytet dhe pjesë ku mund të kalohet koha e lirë” ka thanë Aliu.
Sido që të jetë , komuna e Ferizajt përmes projekteve të kësaj natyre po synon që ti fuqizoj shërbimet publike dhe të rritë interesimin për projektet ambientale.