93% e nxënësve në komunën e Ferizajt janë duke u përfshirë në procesin mësimor që po zhvillohet online.
Drejtori i Arsimit në Ferizaj Afrim Llabjani, shprehet i kënaqur me punën që është duke u bërë nga ana e drejtorëve të shkollave dhe mësimdhënësve, të cilët tha se janë duke u angazhuar që të gjithë nxënësit të përfshihen në mësimin online, transmeton Televizioni Tema.
“Në bazë të raporteve që kemi marrë në arsimin 0-9, sipas statistikave që kemi mbledhur nga të gjitha shkollat është diku 93% e nxënësve janë të përfshirë në procesin mësimor, kemi 7% të nxënësve që nuk janë të përfshirë, ndërsa në nivelin 10-12 është një përqindje pak më e lartë e mospërfshirjes 91%, por megjithatë jemi të kënaqur me këtë gjithëpërfshirje dhe për këtë unë dua të shpreh mirënjohje për të gjithë si drejtorët, mësimdhënësit, nxënësit e prindërit, të cilët e kanë kuptuar me seriozitet këtë punë dhe janë duke e bërë një punë të mirë”, tha Llabjani.
Llabjani tregoi se si mund të bëhet vlerësimi i nxënësve.
“Me kurrikulën e re ne kemi 3 periudha të vlerësimit, periudha e parë që fillon në shtator dhe përfundon në dhjetor, periudha e dytë që fillon në janar dhe përfundon më 31 mars dhe periudha e tretë që fillon nga 1 prilli dhe përfundon me përfundimin e përgjithshëm të procesit mësimor, andaj po mendoj që periudha e parë është përfunduar siç është dashur në shkolla, periudha e dytë ka filluar në shkolla por nuk është përfunduar, kanë mbetur diku 2 javë për të përfunduar edhe kjo periudhë, por po besoj se janë disa indikatorë që dërgojnë në një vlerësim sa më të drejtë dhe më real për nxënësit, mësimdhënësit i kanë disa informacione të mira që mund ta bëjnë një vlerësim për secilin nxënës që e kanë në proces”, tha Llabjani.
Sa i përket organizimit të testit të arritshmërisë dhe atij të maturës, Llabjani tha se Ministria e Arsimit është duke e shqyrtuar mundësinë e mbajtjes së këtyre testeve.
“Ne nuk kemi marrë akoma ndonjë informacion zyrtar se çfarë do të ndodhë me testin e arritshmërisë dhe testin e maturës, por po shpresoj se do të kthehemi në bankat shkollore, por nëse jo atëherë me sa kam informacione ministria është duke punuar në këtë drejtim për të parë mundësinë se si do të kryhen këto dy teste pasi janë shumë të rëndësishme, pra për këto dy teste do të jetë më problematike të zhvillohen online”,tha Llabjani.
Procesi mësimor në Kosovë është ndërprerë më 12 mars si masë mbrojtëse nga pandemia COVID-19./ Televizioni Tema