Lajme

Zyrtare: LDK dhe AKR arrijnë marrëveshje për koalicionin

By FerizajPress

May 16, 2017

Në mbrëmjen e së martës, në rezidencën e Behgjet Pacollit, LDK dhe AKR kanë arritur marrëveshje për koalicion parazgjedhor.

Abran Abrashi nga LDK ka konfirmuar për Gazetën Express se AKR është pajtuar t’i bashkohet një koalicioni me LDK’në, që kandidat për kryeministër do të ketë Avdullah Hotin.

Anëtari i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherësh kryetar i Ferizajt, Muharrem Sfarqa, ka deklaruar më herët se LDK me AKR’në kanë shumë pika të përbashkëta të programeve për ekonomi dhe për proceset integruese në të ardhmen. 

“Ne do të jemi alternativa e vetme për t’i luftuat ata që deri tash e kanë kapur shtetin”, ka deklaruar Sfarqa.

LDK ka lidhur koalicion gjatë ditës edhe me partinë Alternativa, që udhëhiqet nga Mimoza Kusari-Lila, dhe me Lëvizjen për Drejtësi.

Kësisoj, Pacolli dhe Kusari ribashkohen në një listë, pas largimit të kësaj të fundit nga AKR’ja e Pacollit, ku ishte nënkryetare.

Afati për deklarimin e koalicioneve në Komision Qendror të Zgjedhjeve përfundon në mesnatë.

Vendi më 11 qershor shkon në zgjedhje, pasi Qeveria, e udhëhequr nga Mustafa, u rrëzua përmes një mocioni të inicuar nga Nisma. /Express/