Ferizaj

Zyrtar dhe deputet Ferizajas urojnë festën e Pashkëve

By FerizajPress

April 01, 2018

Me rastin e Festës së Pashkëve Katolike, nënkryetari i Komunës së Ferizajt, Naim Ferati, deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Elmi Reçica, zëvendësministri i Zhvillimit Ekonomik, Xhavit Zariqi, Kryesuesja e Kuvendit të Komunës, Kristina Gashi Bytyçi, të shoqëruar edhe nga drejtorët e drejtorive komunale, përfaqësues të Këshillit të Bashkësisë Islame në Ferizaj dhe përfaqësues të tjerë kanë vizituar Kishën Katolike “Engjëlli i Rojës” në Ferizaj.

Me këtë rast, nënkryetari Naim Ferati në emër të ekzekutivit komunal dhe Kryetarit të Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ka uruar komunitetin katolik për festën e pashkëve duke dëshiruar shëndet, harmoni familjare dhe prosperitet në të gjitha drejtimet për këtë komunitet fetar dhe gjithë shoqërinë në përgjithësi.

Edhe deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Elmi Reçica ka uruar të gjithë pjesëtarët e komunitetit katolik dhe përfaqësuesit e Kishës Katolike “Engjëlli i Rojës” në Ferizaj, me rastin e Pashkëve Katolike, duke dëshiruar që kjo festë e ringjalljes, shpresës, dashurisë dhe besimit ku jeta ngadhënjeu mbi vdekjen të shpreh solidaritetin ndërnjerëzor, dhe gjithashtu angazhimi i gjithsecilit të kontribuoj në forcimin e institucioneve tona shtetërore si dhe prosperimin e përgjithshëm shoqëror.

Në anën tjetër, Don Viktor Sopi, udhëheqës dhe përfaqësues të tjerë të Kishës Katolike “Engjëlli i Rojës” në Ferizaj, falënderuan mysafirët për vizitën në këtë ditë të shenjtë për besimtarët katolik, duke u shprehur se dashuria, forcimi i besimit, paqja, toleranca dhe solidariteti ndërnjerëzor janë vlerat tona shoqërore të cilat ndër gjenerata janë kultivuar dhe ruajtur edhe në kohërat kur cenohej ekzistenca jonë kombëtare.