Ai ka thënë se bisedimet mes dy partive janë duke vazhduar, dhe se ka përafrim të raporteve për krijimin e qeverisë.
“Unë shpresoj që sa më shpejtë të mbaroj procesi i bisedimeve për formimin e Qeverisë. Jam optimist se do të mbarojë pozitivisht. Ja sot disa çështje i pastruam bashkë me Ahmetin. Shpresoj që edhe ekspertët e grupeve tona punuese do t’i rregullojnë që në kuadër të Kushtetutës, për të cilën mu të dy partitë merren që t’i përmbushin kërkesat për barazi të gjithë qytetarëve të Maqedonisë”, kështu është deklaruar lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, pas takimit me liderin e BDI-së Ali Ahmeti, në Reçicë të Vogël, njofton Portalb.
“Në rrjedhë janë bisedimet mes LSDM-në dhe BDI-në. Kemi diskutuar për disa çështja të cilat do t’i përcjellim nëpërmjet grupeve punuese, të cilët janë të përbëra edhe nga ekspertët” shtoi Zaev.
Ai tha se partia e tij me BDI-në i kanë të afërta qëndrimet dhe se disa nga pikat janë tejkaluar.
“Ne jemi të afërt dhe kjo është një mundësi unikate që disa paragjykime, pas gjithë këtyre 25 viteve t’i largojmë. Dallimet janë në përkthimin kushtetues dhe praktikës së ligjit. Qëllimi është që të vihet në praktikë ligji, nuk është që vetëm të shkruajmë ligje të caktuara. Sonte i kemi shqyrtuar disa nga çështjet për të cilat kanë biseduar grupet punuese të partive tona, pra BDI-së dhe LSDM-së. Tani unë dhe Ahmeti, do t’ua bartim qëndrimet tona grupeve punuese me qëllim që ta lehtësojë punën e procesit. Shumica e çështjeve të cilat kanë dalë nga platforma e partisë tonë dhe platforma e partive shqiptare, shumica prej tyre janë çështje të absolvuara. Shpresoj që sa më shpejtë të merren nënshkrimet”, përfundoi Zaev pas takimit.