Ferizaj

Zjarret përfshijnë Ferizajn – Zëvendës-komandanti Avdiu: Zjarrfikësit në gatishmëri të plotë, qytetarët të tregojnë kujdes

By FerizajPress

July 14, 2025

Ferizaj, 14 korrik 2025

Zëvendës-komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve në Ferizaj, z. Jeton Avdiu, në një intervistë për FerizajPress ka folur për situatën alarmante të zjarreve që po përhapin territoret malore dhe fushore të komunës, si dhe për përgatitjen e ekipeve për ndërhyrje emergjente.

Ai bëri të ditur se këto ditë është shënuar rritje e ndjeshme e rasteve me zjarre. “Një rast i rëndësishëm u raportua sot në mëngjes në Gerlicë, ku kishte shpërthyer një zjarr i madh, ndërsa një tjetër vatër aktive është në afërsi të kampit Bondsteel,” deklaroi Avdiu.

Vetëm gjatë këtij muaji, brigada ka realizuar 82 intervenime, kryesisht për shuarjen e zjarreve në fusha dhe male.

Sa i përket kapaciteteve logjistike, Avdiu pranoi se një pjesë e pajisjeve janë të amortizuara dhe përballen me defekte, por theksoi se aktualisht janë të mjaftueshme për të menaxhuar situatat emergjente. Ai shtoi se përveç 28 zjarrfikësve të rregullt, brigada mbështetet edhe nga zjarrfikës sezonalë që ndihmojnë falë përkrahjes së Komunës së Ferizajt.

Zëvendës-komandanti nënvizoi sfidat e mëdha të sezonit të verës, ku temperaturat e larta e bëjnë punën jashtëzakonisht të rrezikshme. “Vetë zjarri gjeneron temperatura të larta dhe përfshirja në terrene të vështira kërkon përpjekje maksimale,” tha ai, duke theksuar se pavarësisht vështirësive, zjarrfikësit mbeten në vijën e parë për mbrojtjen e jetës, pasurisë dhe natyrës.

Ai iu bëri apel qytetarëve që të shmangin ndezjen e zjarreve të pakontrolluara, të cilat po shkaktojnë dëme serioze në pyje dhe toka bujqësore. “Pyjet janë oksigjeni ynë,” theksoi Avdiu, duke kujtuar se në këto temperatura të larta, zjarret përhapen me shpejtësi dhe ndonjëherë është shumë e vështirë të arrihet ndërhyrja në kohë.

Në fund, ai ftoi qytetarët që gjatë pastrimit të parcelave të tregojnë kujdes maksimal dhe, në rast të shpërthimit të ndonjë zjarri, të kontaktojnë menjëherë shërbimet emergjente në numrat 193 ose 112. / Për FerizajPress, Aurorë Zymberi