Lajme

Zharku: Shqipëria s’ka të drejtë të nënshkruaj marrëveshje që prekin Kosovën

By FerizajPress

October 24, 2016

Edhe pse këto marrëveshje prekin Kosovën pasi që Autostrada Nish- Durrës, doemos duhet të kalojë nga Kosova, megjithatë autoritetet kosovare thonë të mos jenë në dijeni.

Ministri Lutfi Zharku ka thënë për ORAinfo se askush nuk ka të drejtë të bëjë asnjë marrëveshje për infrastrukturën rrugore të Kosovës, duke i bërë me dije kryeministrit Edi Rama se asnjë marrëveshje nuk do të jetë valide që nuk është e nënshkruar nga autoritetet vendase.

“Ne nuk jemi te informuar në lidhje me marrëveshjen që Edi Rrama ka nënshkruar me Aleksandër Vuçiqin për autostradën. Ne as nuk dëshirojmë me ditë për atë marrëveshje tani”, ka thënë Zharku.

Zharku ka pohuar se para dy vitesh i kanë dërguar ‘selam’ Edi Ramës se nuk mund të nënshkruaj asnjë marrëveshje në fushën e infrastrukturës rrugore që prek Kosovën.

“Ne para dy viteve edhe ministrit të Jashtëm të Shqipërisë i kemi bërë me dije se nuk munden të nënshkruajnë asgjë për Kosovën dhe ai është pajtuar, po pse ka ndodh kjo tani nuk e di”, ka thënë Zharku.

Sipas tij, Kosova nuk ka nevoja te nënshkruaj marrëveshje të tilla pasi që autostrada në pjesën e Kosovës tanimë është ndërtuar.

“Ne nuk kemi pse me negociuar as me bë marrëveshje për autostradën tonë. Ne e kemi ndërtuar autostradën. Gjithashtu jemi pjesë e korridorit të 7 të Ballkanit të barabartë me të gjitha shtetet”, ka thënë Zharku.

Ndryshe, vizita e Ramës në Beograd ka ngjallur debat në Kosovë, se ai po e zhvlerëson Kosovën duke folur në emër të saj

.