Zhvillimet e fundit politike, egoja që me çdo kusht të jenë në listën e garës për Parlamentin e Kosovës, pavarësisht epilogut të rrjedhjes së ngjarjeve, si duket e diela e 11 qershorit u ka hap sytë shumë njerëzve të heshtur, të cilëve për kaq kohë nuk ju është ndjerë zëri.
Pa tjetër se duhet bërë një analizë e hollësishme mbi procesin e lëvizjen e elektoratit, për të cilën konsideroj se është përgjegjësi e gjithë neve, për të shpërblyer fituesit, e në anën tjetër për t’i ndëshkuar humbësit.
Fitues i përqindjes, sigurisht se është subjekti LVV në Ferizaj, e cila është radhitur si e para, por kjo nuk do të thotë se arriti ta bindë masën brenda natës për t’ia dhënë besimin. Ishte me fat ky subjekt që arriti ti marrë votat e dëshpërimit, pasi që menjëherë pas përfundimit të procesit, edhe vetë zyrtarët e këtij subjekti ishin të surprizuar, nuk e kishin pritur.
Me dhënien e rezultateve preliminare, analist, gazetarë e shumë të tjerë vlerësuan si kohën për ndryshime, për të cilën isha pajtuar pjesërisht. Në aspektin e përgjithshëm, nuk e besoj se ka ardhur koha për ndryshime, nuk e besoj që ferizajasit kanë nxënë hapin e ndryshimit. Duke qenë pjesë e jetës së këtij qyteti, duke njohur mentalitetit e ferizajasit, ne jemi të gatshëm të shtyhemi me brryla në mes vete, por kur bëhet fjalë për të tjerët jemi bujar, të gatshëm për t’ia lënë rrugën e lirë, për qefet e tyre. Neve ferizajasve na mungon termi, qysh kanë shumë qytetet të mëdha të vendit ,,Lokalistë”, nuk dimë të vlerësojmë vetëveten, por për të tjerët vlerësojmë lartë, e kemi specialitet.
Sovrani tha fjalën e vet! – nxori fitues subjektin LVV, por bashk me këtë fitore, nuk nxori triumfues kandidatët e këtij subjekti për përfaqësim në Parlament, të cilët ishin mjaft në numër. Votat e ferizajasve duhet të shkonin në Prishtinë, Prizren e ku jo, por këto vota nuk duhet të ndaleshin në Ferizaj, për kandidatët në garë,ishte e ndaluar. Votat e ferizajasve duhet të shkonin për Albinin, Glaukin, për t’birin e dreqit, por nuk shiheshin të rëndësishme për Emrushin, Shyqeriun, Bashkimin, Shpendin e Xhevatin. Siq shihet edhe nga grumbullimi i votave, këta të apostrofuar nuk janë në listën e të preferuarve të LVV. Në këtë garë ata duhet të mbledhin votën nga qytetarët ferizajas, nga familjaret e tyre e farefisi, për të tjerët, se sa të mblidhnin elektorat rreth vete për të triumfuar në këtë garë që i kishin hyrë.
Në anën tjetër, koalicioni LDK-AKR-Alternativa, kjo e fundit e shkrirë në LDK sapo morri hapat e parë në skenën politike, anëtarët e votuesit e tyre, të drejtën e votës për përfaqësim ia besuan të tjerëve jashtë qytetit tonë, që është e dhimbshme. Në këtë lëmsh të krijuar pas zgjedhjeve, nuk mundem pa ju kthyer edhe thënieve të vjetra popullore “ I yti edhe mund të të vras, por ashtin ta ruan”, e kjo nuk ndodhi në këtë rast. Sigurisht se elektorati i LDK-së, i nxitur nga dikush brenda këtij subjekti, për teke individuale, e për inat të të tjerëve, puna e keqe që po bënë kryetar Sfarqa, i cili mundohej që përmes pozicionit që ka si i pari i qytetit, të joshë militant të partive të tjera, duke i rehatuar nëpër pozicione të ndryshme me kontratë për shërbime të veçanta, duke emëruar drejtor e nën drejtorë të partive të tjera, sigurisht për rritjen e numrave të partisë së tij, pa vërejtur zjarrin brenda partisë së tij, i cili ishte akumuluar prej kohësh. Pakënaqësitë e njerëzve të këtij subjekti u panë në ditën e zgjedhjeve, ku këtë subjekt, i cili udhëheq me qytetin, e nxori të tretën. Ishte fat i mirë për LDK-në e koalicionin e tyre, për të mos pësuar debakël, që në listën zyrtare në garë kishin kandidatin nga radhët e AKR-së Labinot Tahirin, i cili ia siguroi mbi 5.000 vota.
Siç po duket nga të dhënat preliminare, lojën e lokalistit e ka luajtur më së miri PDK-ja, që kishte rreth vetës disa parti të vogla, e në fund lidhi marrëveshje edhe me AAK-në e NISMEN, kjo e fundit e cila rrezikonte të kalonte edhe pragun zgjedhor pa koalicion. Shumë nga anëtarët e PDK-së, AAK-së e mirëpritën këtë lidhje të koalicionit, por kishte edhe nga ata që mendonin ndryshe, e shihnin të dëmshëm, posaçërisht për subjektin më të madhë PDK-në. Lidershipi i PDK-së, për të manifestuar të kundërtën e asaj që thuhej nëpër media, se këta janë të interesuar për pushtet, hoqi dorë nga kandidatura për kryeministër, duke i besuar e mbështetur kundërshtarin e tij politik nga radhët e AAK-së, z.Ramush Haradinaj, siç duket pa analizuar rrezikun që mund t’i vinte nga pakënaqësitë e elektoratit të saj, sepse në të gjitha degët e nëndegët ishin përgatitur për kandidaturën e z.Kadri Veselit për kryeministër. PDK-ja edhe në përfshirjen e përgjithshme regjionale ka korrur suksese, sepse nga qyteti ynë janë siguruar votat e deputetit nga komuna e Shtimes, por jo edhe ata të cilët nuk i përkasin këtij regjioni, me disa përjashtime të preferencave individuale.
Pavarësisht përqindjes së numrave që kalkulohen, si qytetarë ferizajas konsideroj se fitues moral i këtyre zgjedhjeve në Ferizaj mund të jetë LVV, por fitues i njëmend për qytetin tonë mbetet PDK-ja, sepse nga tre të nominuar për Parlamentin e Kosovës, sa kishte ky subjekt, të tret kanë fituar vota të mjaftueshme për përfaqësim në Kuvendin e Kosovës, e në bazë të numrave për përfaqësim, për mua mbetet subjekti PDK, fitues i këtyre zgjedhjeve në qytetin tonë.
Në listën zyrtare për Kuvendin e Kosovës, partitë politike në Ferizaj garuan me njerëzit e tyre që vlerësuan në përfaqësim të dinjitetshëm:
Duke i analizuar rezultatet preliminare, shihet qartë se kush është fituesi moral i këtyre zgjedhjeve. Nuk pres ndryshim të përfaqësimit, pasi që më tani është më se e dukshme.
Degët e partive politike në Ferizaj, para se gjithash duhet të mendojnë për qytetin tonë, për njerëzit e këtij vendi, se sa qëllimet partiake për të grumbulluar vota për individët të cilëve në të ardhmen edhe nuk mund të ju kërkosh llogari.
Hapat e parë që duhet të merren me formimi e qeverisë së re, e me prioritet, konsideroj se janë ndryshimet në ligjin e zgjedhjeve, ku duhet të ndryshohet nga ai aktual si një zonë zgjedhore, të krijohen shumë zona zgjedhore, apo edhe rajonale, me qëllimin më të mirë, që të pengohet kontrabandimi i votave, nga njerëzit me ndikim e autoritarë, pasi që përmes kësaj po dëmtohen shumë zona të caktuara, duke mos pasur përfaqësim adekuat në nivelin qendrorë.
Edhe në legjislaturën e kaluar, qyteti ynë ishte mjaft mirë i përfaqësuar, kishte nëntë (9) deputet, të cilët kanë mundur t’i bashkërendojnë veprimet e tyre në të mirë të qytetit tonë, të krijojnë një grup të fuqishëm parlamentarë, duke i thirrur ndërgjegjes, se për se janë të thirrur, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur për inate personale e partiake.
Kur bëhet fjalë për pasurimin e arkës së shtetit, qyteti ynë njihet si aset i fuqishëm ekonomik, e kur bëhet fjalë për investime në këtë pjesë të vendit, ato janë të pakta, për të mos thënë fare hiq. Madje nga të gjitha legjislaturat e pasluftës së Kosovës, asnjëherë nuk jemi përfshirë në ekzekutiven e vendit, në postet kyçe, me përjashtim të një rasti, kur kishim një zv.kryeministër.
Duhet të mendohet, që në të ardhmen njerëzit të cilët na përfaqësojnë në nivelin qendrorë, të jenë koshient karshi kërkesave të qytetit, të bashkërendojnë veprimet e tyre politike, e pse jo të fillojnë të zbatojnë edhe masat e reciprocitetit, duke i kundërshtuar ligjet të cilat sillen në Parlament për miratim, nëse vazhdohet me këtë diskursin e deritanishëm për mos përkrahje të banorëve të Ferizajt, sepse kjo gjendje e deritanishme është bërë e paduruar nga banorët ferizajas.
U bëjë thirrje të gjithë atyre deputeteve të legjislaturës së re, të cilët do të jenë pjesë e Parlamentit të Kosovës, që para interesave partiake, të mendojnë për qytetin tonë. Të vejnë komunikim të mirëfilltë në mes veti, për të mirën e Ferizajt, për të mirën e njerëzve të saj, për të cilët janë të thirrur për përfaqësim.
MA: Nexhat Shahini
(Magjistër i Historisë)