Ferizaj

Zgjedhja e kryesisë përplas pensionistët e Ferizajt

By FerizajPress

April 11, 2017

Organizata e pensionistëve në Ferizaj, organizoi Kuvendin e saj zgjedhor.

Por, përveç mysafirëve të ftuar, në sallën ku mbahej ky aktivitet pati edhe mysafirë të pa ftuar, madje ata nuk ishin pakicë.

Derisa kryetari aktual, Nebih Mehmeti, insistonte që Kuvendi të zhvilloj punimet në prezencën e delegatëvetë ftuar, një pjesë tjetër e pensionistëve pengonin ato, duke e quajtur këtë Kuvend të jashtëligjshëm. Ata kërkonin të dinë saktë se si zgjedhet një kryesi në bazë të statutit të kësaj organizate.

“Së pari lajmërim nuk ka pas për këtë, lajmërimi është dashtë të bëhet më herët, kjo sallë s’ka pas mundësi me i zënë të gjithë ata që duhet të vijnë këtu sot. Por, nëse keni dashtë që Kuvendi të mbahet kështu i izoluar, pa informim të duhur, mos mendoni që ne jemi të padijshëm, ne jemi më shkollovana se ju, i kuptojmë të gjitha fshehtësitë e juaja. E nëse ju doni ta vazhdoni kështu, besa u qoftë që s’keni me mujt me bë asgjë, e dimë se çfarë është duke ndodhur aty në organizatë, ju duhet me dhënë vetë dorëheqje”, tha  pensionisti Shefqet Reka.

“Po doni me mbajtë këtë Kuvend në mënyrë interne, jo kështu nuk shkon. Informimi është dashtë të bëhet me kohë, ju po punoni pa marrëveshje të pensionistëve, po dilni nëpër fshatra dhe po e kërkoni votën e njerëzve që as nuk janë anëtarë këtu. Qe shumë vite me radhë janë në krye e njejta kryesi, që asgjë s’ka ndryshuar për të mirë”, tha një tjetër pensionist, pa dashur të prezantohet.

Në anën tjetër, kryetari Nebih Mehmeti, tha se Kuvendi është organizuar në harmoni me statutin e organizatës.

“Të gjithë ata që i ka votuar rrethi, bashkësia lokale, prej atyre e kanë caktuar edhe delegatin që sot ka me ardhë në Kuvend, kështu që ne jemi në rregull gjithçka për të vazhduar punimet dhe për t’u zgjedhur kryesia e kryetari”, u shpreh Mehmeti.

I pranishëm në këtë takim ishte dhe drejtori i shëndetësisë dhe i mirëqenies sociale Burim Karameta, i cili propozoi që mbledhja të shtyhet për ndonjë ditë tjetër.

“Po propozoj që ky Kuvend të shtyhet, pasi që po shihet se nuk ka kurrfarë atmosfere që të vazhdojnë punimet ashtu siç duhet”, theksoi Karameta.

Por, pavarësisht kësaj thirrje të pushtetit lokal dhe pavarësisht grindjeve dhe përleshjeve fizike që pati aty,  drejtues të organizatës këmbëngulen që Kuvendi të vazhdoj me delegatët e ftuar, ndërkaq, pjesa tjetër e anëtarëve të revoltuar dolën nga salla, transmeton Televizioni Tema.