Deputeti i partisë opozitare, NISMA për Kosovën, Zafir Berisha, në një intervistë dhënë për Gazetën Infopress pranon se raportet në mes partive opozitare VV, AAK e NISMA janë ftohur. Sipas tij një gjë e tillë ka ndodhur për shkak të veprimeve të ngutshme të ndërmarra nga përfaqësuesit e opozitës.
Çfarë janë raportet aktuale mes tri partive opozitare. Çfarë i bashkon dhe çfarë i ndanë ato?
Zafir Berisha: Raportet e opozitës ditëve të fundit nuk janë edhe shumë të kënaqshme dhe si duhet e presin me qenë qytetarët. Situata aktuale me të drejtë krijon një pakënaqësi te qytetarët që kanë mbështet kauzën e opozitës, por sido që të jetë mendoj se të gjitha subjektet kanë përgjegjësi që t’i tejkalojnë ndasitë e vogla për një arsye të madhe që na bashkon, që është mbrojtja e shtetit nga kjo qeveri kriminale e antikushtetuse.
AAK ka thirrur një protestë gjithëpopullore për 14 maj. A është konsultuar me partinë tuaj NISMA për Kosovën dhe a do ta përkrahni këtë protestë?
Zafir Berisha: Është e vërtet se kanë munguar konsultat si më herët mes partive opozitare, mirëpo përcaktimi ynë për ta luftuar këtë qeveri nuk duhet të vihet në pikëpyetje. Mendoj se çdo iniciativë që është në vazhdën e përpjekjeve që disa muaj që realizuam kundër kësaj garniture duhet të përkrahet dhe në këtë kontest do të jemi pjesë e lëvizjeve, duke përfshirë edhe protestat që ia shkurtojnë jetën kësaj qeverie.
A ka gjasa opozita e bashkuar të dalë me një listë të përbashkët nëse vendi shkon në zgjedhje. Nëse nuk arrihet kjo (sipas deklarimeve të partive opozitare postet janë pengesë), a do të thotë se opozita si në kohën e VLAN-it po lufton për poste, e jo për të mirën e qytetarëve?
Zafir Berisha: Ka pasur përpjekje dhe bukur shumë janë afruar qëndrimet rreth një liste të përbashkët, e cila ditëve të fundit është vënë në pikëpyetje për arsye se disa gjëra janë diskutuar shumë para kohe. Natyrisht se pushtetarëve ju shkon përshtati kjo gjendje e krijuar për të cilën edhe partitë në pushtet përmes medieve të tyre kanë ‘kontribuar’. Megjithatë, sido që të rrjedhin gjërat, duhet të bëhet një rirreshtim i forcave politike në zgjedhjet e ardhshme për të vetmin qëllim që të ndryshoj kjo gjendje dhe skema politike në Kosovë. Se si do të duket lista për zgjedhje është herët të flitet, por besoj se ka disponim për unitet të forcave të caktuara të jenë bashkë.
Së fundmi në media është raportuar se dy përfaqësues të NISMA-s (Jakup Krasniqi e Bilall Sherifi) dhe dy të tjerë të AAK-së janë takuar me përfaqësues të partive në pushtet. A jeni në dijeni ju për këto takime dhe si i vlerësoni personalisht?
Zafir Berisha: Takimet që janë bërë publike kanë qenë në vazhdën e përpjekjeve që vendin ta çojnë në zgjedhje të parakohshme si angazhim shtesë i përpjekjeve opozitare që kanë ndodh në Kuvend dhe në rrugë, përndryshe nuk ka gjë të keqe nëse takohemi edhe me partitë në pushtet për të vetmen çështje, shkuarjen në zgjedhje të reja.
Hashim Thaçi para pak ditësh edhe zyrtarisht mori postin e presidentit të vendit. Nëse ju fton në takim si opozitë në konsultime për tejkalimin e krizës a do të merrni pjesë?
Zafir Berisha: Hashin Thaçi është njeri i kontestuar në pozitën që është emëruar. Një ftesë eventuale e tij duhet të analizohet deri në atë shkallë sa që mos të legalizohet pozicioni i tij aktual.
Deputet Berisha, opozita po vazhdon të këmbëngul që zgjedhjet janë zgjidhja e vetme. Nëse nuk do të ketë zgjedhje te reja, cilat do të jenë veprimet e opozitës?
Zafir Berisha: Mendoj se zgjedhjet tashmë janë shumë afër, por duhet të koordinohemi si forca politike, përndryshe nuk ka alternativë tjetër. Natyrisht se do të vazhdojmë kundërshtimin tonë ndaj kësaj qeverie e cila çdo ditë e më tepër po e dëmton perspektivën evropiane të vendit.