Vendimi i Qeverisë së Kosovës për aplikimin e takës doganore në vlerën 100 për qind ndaj produkteve të importuara me origjinë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, ka ndikuar në ngritjen e çmimeve të disa artikujve të domosdoshëm ushqimor në Kosovë. Çmimi i bukës është rritur në 0.40 cent edhe në komunën e Ferizajt, ku përveç bukës rritje të çmimit ka pasur edhe në byrek që me çmim të tanishëm është bërë 0.80 cent.
Furrtarët ferizajas thanë se ngritja e çmimit të miellit ka ndikuar edhe tek ngritja e çmimit të bukës.
Ngritjen e çmimit të bukës nuk e mirëpritën qytetarët ferizajas.
“Jam informuar mbrëmë se është ngritur çmimi i bukës, nuk e kemi pritur mirë, nuk është lajm i mirë, por e kanë vendosur furrat dhe ne duhet të pajtohemi, taksa ka ndikuar në rritjen e çmimit të xhepit tonë, është e dëmshme për popullin pasi 40 cent është shtrenjtë, një familje 5 anëtarëshe 3-4 bukë me i ble kushton”, tha Sami Hasani.
“Sot është ngrit çmimi bukës e dinë ndoshta furrtarët më mirë, por nuk është e arsyeshme, ne duhet t’i shfrytëzojmë rezervat që i kemi e pastaj të ndërmerren veprime të tjera”, tha Ismet Maliqi.
“Nuk është mirë ngritja e çmimit pasi ndikon direkt tek popullata’’, tha një tjetër qytetar.
Kosova asnjëherë nuk ka arritur të përmbush në tërësi nevojat e veta për grurë. Sipas të dhënave zyrtare, Kosova sivjet i plotëson nevojat e popullatës me prodhimin e grurit, me vetëm rreth 50 për qind.