Këto komente i ka bërë kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë vizitës së tij të sotme në veri të Mitrovicës, pas incidentit të ndodhur në orët e sotme të mëngjesit në Zubin Potok.
Sipas tij, ky incident është shkaktuar nga tre persona të cilët janë në kërkim. Ai tha se hetimet janë duke u zhvilluar nga organet gjegjëse të hetuesisë, edhe pse nuk beson se sulmuesit do të kapen ndonjëherë.
Vuçiq potencoi se përkundër këtij incidenti, ai do të marr pjesë në tubimin e partisë së tij (SNS) që do të mbahet në ora 15:00 në Zubin Potok dhe se vizita e tij do të vazhdojë sipas planit të paraparë.
I pyetur nga gazetarët për përurimin e presidentit të ri të Kosovës, Hashim Thaçi dhe njohjen eventuale të Kosovës nga Serbia, Vuçiq është përgjigjur se një gjë e tillë nuk do të ndodhë kurrë derisa ai të jetë kryeministër.
“Do të vazhdojmë me përpjekjet tona që gjithçka me Prishtinën të zgjidhet në kuadër të bisedimeve dhe Serbia nuk do të parashtrojë ultimatume, ndërsa nga Prishtina presim që të zbatojë obligimet dhe të gjitha të tjerat për të cilat ka nënshkruar, duke përfshirë këtu edhe formimin e Bashkësinë e komunave serbe”, ka thënë Vuçiq.