Lajme

Vuçiq: Kosovës në New York po i ndihmon edhe Gent Cakaj, por ne po punojmë për çnjohje të reja

By FerizajPress

September 30, 2019

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, deklaron se është i gatshëm për dialog me Kosovën, ndërkohë në anën tjetër flet hapur rreth organizimit që po bën Serbia për të luftuar pavarësinë e Republikës së Kosovës.

Në një intervistë për televizionin publik serb, Vuçiq ka thënë se janë duke u zhvilluar diskutime intensive me disa shtete rreth heqjes së njohjes për pavarësinë e Kosovës, raporton Gazeta Express.

“Ata dje kanë deklaruar se kanë ardhur (në New York) për njohje të reja. Tani u them publikisht, ne jemi duke punuar për të pasur tërheqje të reja të njohjes së pavarësisë. Ata po bëjnë punën e tyre, ne po bëjmë punën tonë, kështu të shohim pra kush do të jetë më i suksesshëm”, ka thënë kreu i shtetit serb.

Presidenti serb ka thënë se në përpjekje për të marrë njohje të reja, Kosovës i ka dalë në ndihmë edhe ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj.

“Ata hapur e kanë thënë se është edhe një shtet që po lobon për ta. S’ka problem. Ne jemi vetëm, disa dëshirojnë të na ndihmojnë, shumica na nënvlerësojnë, por përgjigjja jonë do të jetë efektive”, ka paralajmëruar tutje presidenti serb.

Ndërkohë New York-un e ka cilësuar si një fortesë të shqiptarëve.