Lajme

Vuçiq e krahason trenin me dronin: A duhej t’i çonim tanket në Kosovë?

By FerizajPress

January 20, 2017

Vuçiq duke e quajtur ushtri, policinë e Kosovës e cila shkoi në kufi për ta ndaluar trenin, tha se ky ishte një veprim i papërgjegjshëm i Prishtinës.

Ai deklaron se simbolet nuk ishin imazhe nacionaliste, por ato përfaqësonin Kushtetutën e Serbisë.

Kryeministri serb foli edhe për dronin që fluturoi me flamurin e hartës etnike shqiptare mbi stadiumin e futbollit ku luhej ndeshja Serbi-Shqipëri.

“Çfarë duhet të bënim ne kur pamë dronin me flamurin e Shqipërisë së Madhe në stadiumin e Beogradit? Të çonim tanket? Nuk bëmë asgjë. I frikësohemi së ardhmes. Ditët e fundit dëgjuam Edi Ramën të thoshte ‘serbët mund të vijnë vetëm si turistë’”, ka deklaruar Vuçiq.

Intervista e plotë

Sa i madh është rreziku i një përballje ushtarake apo lufte në këtë moment?

Jam habitur nga ky akt i papërgjegjshëm. Të çosh repartet ushtarake në veri të Kosovës, ku jetojnë vetëm serbë, kundër një treni. Mund të diskutohet edhe të debatohet, por të çosh reparte ushtarake është e papërgjegjshme. Dhe këtë e bënë ata”.

Por denoncuar si provokim frazën “Kosova është Serbi”, ikonat ortodokse dhe simbolet patriotike në tren..

E përsëris që është shumë e papërgjegjshme nga ana e tyre. Ngushëllohem me faktin që shmangëm çdo përballje fizike me Kosovën në veri. Një shintil që mund të ndizte tension në të gjithë rajonin. Shkrimet në tren? Nuk ishin imazhe nacionaliste që simbolizonin “Serbinë e Madhe”, por vetëm ikonat brenda dhe shkrimi “Kosova është Serbi”, citim i kushtetutës tonë. Çfarë duhet të bënim ne kur pamë dronin me flamurin e Shqipërisë së Madhe në stadiumin e Beogradit? Të çonim tanket? Nuk bëmë asgjë. I frikësohemi së ardhmes. Ditët e fundit dëgjuam Edi Ramën të thoshte “serbët mund të vijnë vetëm si turistë”.

Insistoj në pyetjen: Sa i madh është rreziku i përballjes së armatosur?

Nuk do isha kurrë i aftë të kryeja aksione të armatosura, ata e bënë. Mendoja se ishte e pamundur, por për fat të keq ndodhi. Duhet të qetësojmë situatën, por njerëzit kanë frikë. Shpresoj që në Prishtinë dhe në Shqipëri të mendojnë për një të ardhme dialogu. Nuk duam përballje, por nuk jam i sigurtë se çfarë do të bëj. Nga ana e tyre shoh shumë gjëra shqetësuese.

Thaçi akuzon Serbinë se kërkon të aneksojë një pjesë të Kosovës siç bëri Rusia me Krimenë…

Është fraza më idiote që kam dëgjuar. Sepse ne e konsiderojmë të gjithë Kosovën pjesë të Serbisë, sipas Kushtetutës sonë. Të aneksosh një pjesë do të thotë të pushtojmë një pjesë të territorit tonë. Nuk jemi një Rusi e vogël ashtu si shumë na konsiderojnë.

Presidenti serb Nikolic tha se nëse Kosova përdor dhunë ndaj minoriteteve serbe, Beogradi do të reagojë me ushtrinë.

Shpresoj që në të ardhmen të bëjmë gjithçka për të shmangur luftën. Për herë të parë në vite, Serbia po pëson një rritje të qëndrueshme. Po avancojmë, dhe lufta do të na kthente prapa. /balkanweb/