Lajme

Vuçiç thotë se “Trepça” është pronë e Serbisë

By FerizajPress

April 03, 2016

Kryeministri i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka vizituar të dielën pjesën veriore të Kosovës, teksa në komunën e Leposaviçit është takuar me minatorët serbë të “Trepçës”, të cilët i ka siguruar se Beogradi nuk do të lejojë që Prishtina ta kthejë kombinatin metalurgjik në ndërmarrje publike. “Natyrisht që ne i frikësohemi ligjit për ndërmarrjet publike dhe shndërrimit të ‘Trepçës’ në pronë të së ashtuquajturës Republikë e Kosovës. Kjo është arsyeja e ardhjes sime këtu, që problemin e ‘Trepçës’ ta diskutojmë këtu, pa tensione e fjalë të mëdha, dhe ta bëjmë të qartë se Serbia nuk do të jetë pjesë e bisedimeve për ‘Trepçën’ në Bruksel. Madje, as që do të lejojë të diskutohet për pronat e veta”, tha Aleksandar Vuçiq, kryeministër i Serbisë.

Ardhjes së Vuçiçit në Kosovë i ka paraprirë një shpërthim granate si dhe të shtëna armësh rreth orës 3 të mëngjesit në komunën e Zubin Potokut, në Shtëpinë e Kulturës, ku ai kishte planifikuar të mbante një tubim, incident ky që sipas Policisë së Kosovës nuk ka pasur të lënduar.

Vuçiq, i cili gjatë mesditës vizitoi një manastir në Zveçan, ruhej edhe nga forca speciale kosovare, ndërsa tha se nuk frikësohet nga bombat dhe plumbat.

“Nuk jam prej atyre njerëzve në Serbi, të cilët dëshirojnë të vajtojnë rreth gjërave, ose që nëpërmjet këtyre akteve të fajësojnë ndonjë kundërshtar politik. Këtë gjë do t’ua lë organeve përgjegjëseve që ta hetojnë”, tha më tej kryeministri serb Aleksandar Vuçiq.

I shoqëruar edhe nga ministrat serbë të Qeverisë së Kosovës, Vuçiq, i cili po garon për një mandat të ri qeverisës tha se, Kosova do të detyrohet ta formojë sa më parë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.

Gjatë qëndrimit në veri të Kosovës, kryeministri i Serbisë Aleksandar Vuçiç i ftoi serbët që të besojnë në ndihmën e Serbisë, ndërsa u ka premtuar atyre ndihma për ndërtimin e shkollave dhe spitaleve./Top Channel