Ferizaj

Vrasja në Ferizaj, viktima s`ishte i involvuar në djegien e veturës së vëllait të të dyshuarit

By FerizajPress

May 31, 2022

Vrasjes e cila ndodhi pak pas mesnatës së të shtunës dyshohej fillimisht që i kishte paraprirë një rast në të cilin të involvuar ishin viktima dhe i arrestuari.

Burime të KALLXO.com brenda Prokurorisë Themelore në Ferizaj kanë dhënë detaje dhe informacione të reja në lidhje me këtë ngjarje.

Sherri i djegies së veturës së të dyshuarit e cila është regjistruar në Policinë në Ferizaj, si NN me person të paidentifikuar si i dyshuar për rastin, ishte trajtuar dhe me urdhër te prokurorisë ishin kërkuar edhe shqyrtuar disa video incizime të cilat kanë qenë të vendosura në vendin ku kishte ndodhur incidenti. 

Në bazë të informacioneve të policisë që kishte pranuar prokuroria siç mëson KALLXO.com, ishte konstatuar se viktima nuk kishte qenë kryerësi i djegies së veturës së vëllait të dyshuarit Q. J.

Tutje siç mëson KALLXO.com, Prokuroria Themelore në Ferizaj kishte pranuar edhe kallëzim penal për rastin e djegies së veturës së vëllait të të dyshuarit kryesor Q. J., të vrasjes së G. H. Në dosjen e kallëzimit penal nuk ka pasur persona të identifikuar si të dyshuar për djegien e veturës. 

Prokuroria siç mëson Kallxo.com ka filluar që të mbledh prova të tjera që lidhin rastin e vrasjes e cila ndodhi në Ferizaj. 

Gjithashtu burimet tregojnë se është kërkuar edhe intervistimi i dy personave si deshmitarë. Të njëjtit pretendohet se kanë qenë shokë të viktimës dhe të dyshuarit. 

KALLXO.com ka kërkuar sqarime në lidhje me veprimet policore edhe nga Policia e Rajonit të Ferizajt. 

Të njëjtit nuk janë përgjigjur deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi. 

Pak pas mesnatës së 28 majit të këtij viti, rreth orës 00:53, G. H., 30 vjeçar, mbeti i vrarë në Ferizaj, pasi i njëjti u qëllua për vdekje me armë zjarri, nga i dyshuari Q. J.

Në dosjen e prokurorisë të dorëzuar në Gjykatën e Ferizajt nga prokurori i shtetit, Shukri Jashari, janë dhënë detaje se si ka ndodhur ngjarja.

Një zyrtar i Policisë së Kosovës në orët e mbrëmjes së 28 majit, dyshohet se me armë zyrtare ka gjuajtur në drejtim të Q.J., të pandehurit për vrasjen e 30 vjeçarit, G.H. në Ferizaj. Sipas njoftimit të policisë, kjo kishte ndodhur pas disa thirrjeve të policëve civilë ndaj të pandehurit, i cili sipas policisë kishte tentuar edhe ta përdorë armën.

Lidhur me këtë, Inspektorati Policor i Kosovës në disa përgjigje për KALLXO.com ka thënë se hetuesit e IPK-së pritet të ndërmarrin edhe disa veprime hetimore për të parë se a janë plotësuar kushtet ligjore për përdorimin e armës zyrtare dhe për të ndriçuar të gjitha rrethanat lidhur me rastin.

Sipas IPK-së, me të pranuar informacionin hetuesit e IPK-së kanë dalë në vendin e ngjarjes ku në koordinim me ekipet tjera reaguese policore dhe Kryeprokurorin e Prokurorisë në Ferizaj kanë ndërmarrë disa veprime hetimore.

Në këtë dosje tregohet se si njëri nga dëshmitarët e rastit ka deklaruar se i dyshuari Q. J., i cili është vëllai i rep-këngtarit Buta, i ka shkuar prapa me veturë të markës “Audi A7” viktimës pak para vrasjes.

Viktima G. H. së bashku me shokët e tij që ishin në veturë janë ndalur në një market në rrugën “Rexhep Bislimi” në Ferizaj.

Në dosje thuhet se gjatë kohës sa dëshmitari ishte brenda marketit ka dëgjuar disa të shtëna armësh dhe menjëherë ka vërejtur viktimën të kërrusur dhe të lënduar si pasojë e të shtënave.

Pas kësaj, dëshmitari thuhet se e ka hipur viktimën në një taksi për ta dërguar në Qendrën Emergjente ku më pas nga mjekët është konstatuar vdekja e viktimës.

“Me deklaratën e dëshmitarit, i cili ka deklaruar se përderisa ka qenë së bashku me shokët e tij, një ndër ta edhe tani i ndjeri, i pandehuri Q. J. ju ka ardhur nga mbrapa me veturën e markës “Audi A7” dhe përderisa vet ka qenë brenda marketit, ka dëgjuar disa të shtëna dhe menjëherë ka vërejtur tani të ndjerin G. H. të kërrusur dhe i lënduar si pasojë e këtyre të shtënave nga ana e të pandehurit Q. J., prandaj menjëherë e ka hipur në një taksi për ta dërguar në Qendrën Emergjente, mirëpo aty nga mjekët ishin njoftuar se i njëjti ka ndërruar jetë”, thuhet në dosjen e prokurorisë.

Në dosjen e prokurorisë po ashtu përshkruhet se motivi i kësaj vrasje dyshohet se ka të bëjë me djegien e një veture të vëllait të të dyshuarit, rep-kengëtarit Buta dhe se i dyshuari ka pretenduar se vetura i ishte djegur nga tashmë viktima G. H dhe se i dyshuari me parapërgatitje dhe me dashje e ka kryer vrasjen.