Detaje të reja bëhen me dije nga aksioni i policisë italiane që shkatërroi një grupi kriminal shqiptar i akuzuar për shfrytëzimin për prostitucion të vajzave nga Europa Lindore, mes të cilave dhe një e mitur.
Prokuroria e Komos ka lëshuar flet arreste për 21 shtetas shqiptarë e një shtetase rumune. Masa që jo të gjitha janë ekzekutuar nga policia. Disa nga shqiptarët e dënuar janë shpallur në kërkim. Ndërsa dy nga shqiptarët e kësaj bande kontrollonin aktivitetin e tyre nga burgu i Monzës dhe burgu Opera i Milanos ku ndodheshin të dënuar për vepra penale të kryera më parë.
Të arrestuarit janë të gjithë banorë në provincën e Brianzas dhe Komos dhe kishin shtrirë aktivitetin e tyre kriminal në gjithë territorin mes Milanos dhe Komos.
Në një dalje për mediat, zyrtarë të policia italiane kane zbardhur disa nga detajet e këtij operacioni.
Hetimet kanë nisur pas vrasjes me një plumb në zemër të shqiptarit I.B. më 15 shtatorin e vitit 2017 e arrestimin në kufirin italian me Francën të autorit të këtij krimi, shqiptarit E.B. 34 vjeç.
Hetimet e mëtejshme zbuluan se vrasja ka lidhje me shfrytëzimin e vajzave për prostitucion. 25 vajzat që shfrytëzoheshin për prostitucion nga grupi i shkatërruar nga policia rrëmbeheshin në vendet e tyre të origjinës si në Shqipëri, Moldavi, Rumani, Hungari. Ato janë të moshës 20-25 vjeçe, por mes tyre ka dhe një vajzë minorene.
Sipas hetuesve italianë, skema kriminale e këtij grupi nuk ishte piramidale, por horizontale. Çdo anëtar i tij zotëronte një zonë të caktuar dhe një vajzë duke nxjerrë fitime që shkonin nga 6-12 mijë euro në muaj.
Ky grup kriminal fitonte duke dhënë me qera dhe vendet e punës në rrugë të vajzave që punonin si prostituta. Fitimi për secilin prej anëtarëve të bandës mund të arrinte dhe në 900 euro në natë.