Ka kaluar më shumë se një vit që kur i riu nga Ferizaj, Bekim Vari, u gjet i vrarë në një zonë malore të fshatit Manastirc.
I dyshuari kryesor për këtë ngjarje makabre është kushëriri i tij, Leutrim Fejza, i cili ndodhet në paraburgim që nga 6 shkurti i vitit të kaluar, i akuzuar për veprën penale: “Vrasje e rëndë”.
Në seancën e vetme gjyqësore që është mbajtur deri tani, tre muaj më parë, Fejza mohoi akuzat, duke thënë para trupit gjykues: “Jo, nuk e kam vra”, transmeton IndeksOnline.
Sipas prokurorisë, më 23 janar 2025, në orët e pasdites, në malet e fshatit Manastirc, i pandehuri dyshohet ta ketë vrarë në mënyrë mizore Bekim Varin dhe më pas ta ketë groposur trupin për të fshehur gjurmët. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motivit të ngjarjes vazhdojnë.
Familja e viktimës kishte raportuar fillimisht zhdukjen e tij më 29 janar, ndërsa trupi i pajetë u gjet më 5 shkurt nga familjarët e tij. IndeksOnline kishte publikuar pamje nga momentet e fundit të Bekimit në një vilë në Manastirc, ku ai ishte bashkë me Leutrim Fejzën.
Ngjarja ka tronditur familjarët dhe komunitetin lokal, duke nxitur shqetësime dhe reagime të shumta në opinionin publik.