Lajme

Vrasja e Enver Bajraktarit, i arrestuari pranon fajin

By FerizajPress

August 12, 2025

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se i arrestuari T.K. ka pranuar kryerjen e veprës penale, në rastin e vrasjes së Enver Bajraktarit në Baicë të Lipjanit, trupi i të cilit u gjet i groposur më 4 gusht.

T.K., sipas njoftimit, gjatë dhënies së deklaratës ka pranuar veprimet e tij dhe kryerjen e veprës penale.

Ai është ndaluar me vendim të prokurorit të shtetit dhe ndaj tij po zhvillohen procedurat ligjore.

I dyshuari u arrestua të martën në mëngjes.

Komunikatë e përbashkët për media nga Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe Policia e Kosovës

Prishtinë, 12 Gusht 2025- Prokuroria Themelore në Prishtinë, në kuadër të hetimeve lidhur me rastin e vrasjes së rëndë, ku viktimë ishte tani i ndjeri Enver Bajraktari nga Lipjani, njofton opinionin publik se në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe me veprime të pandërprera hetimore, që nga momenti i raportimit të rastit, sot më 12.08.2025 është realizuar një urdhër kontroll në fshatin Baicë të Komunës së Lipjanit.

Si rezultat i këtij veprimi policor në koordinim të plotë me Prokurorin e shtetit, është arrestuar dhe ndaluar një person i dyshuar mashkull me inicialet T.K. Pas ndalimit në polici dhe dhënies së deklaratës, i dyshuari ka pranuar veprimet e tij dhe kryerjen e veprës penale.

I dyshuari është ndaluar me vendim të prokurorit të shtetit, dhe ndaj tij janë duke u zhvilluar procedurat e mëtutjeshme ligjore.

Prokuroria dhe Policia mbeten të përkushtuar për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme me qëllim të zbardhjes së plotë të rrethanave të këtij rasti.