Lajme

Vrasja e Almirit, juristët: Vrasësi mundet të dënohet me burg të përjetshëm

By FerizajPress

July 04, 2016

Vrasja e kobshme e 4 vjeçarit Almir Aliu, përveç dhimbjes së familjarëve dhe tronditjes së opinionit publik, është një vepër me të cilën duhet të merret drejtësia. Ekspertët thonë se vrasësi duhet të marrë dënimin e merituar. Sipas tyre, bëhet fjalë për një vrasje të kualifikuar që mund të dënohet deri në burgim të përjetshëm, edhe pse masa e dënimit gjithmonë luan sipas vlerësimeve që bën gjykata.

Sipas Nenit 123 të Kodit Penal për vrasje, rasti në fjalë bën pjesë në kategorinë e dytë dhe cilësohet si vrasje tinëzare. Autori sipas juristëve duhet të dënohet për vrasje me paramendim,lëndime serioze të personave të tjerë dhe cenim të sigurisë.

“Edhe kjo mund të jetë në këtë grup të vrasjeve të kualifikuara, dënohet me burgim prej 10 vite deri në burg të përjetshëm… Duhet që kur gjykata të gjykojë këtë rast, të ketë parasysh dy gjërat që duhen të arrihen me dënimin e vrasësve e ajo është që mos të lejohet që vrasësi të kryej vepra të tjera penale, por edhe të ndikohet në shoqëri që vrasje të tilla të mos ndodhin më”, tha avokati Agron Halimi. Prokuroria themelore e Kumanovës, ditë më parë shqiptoi masën e paraburgimit 30 ditor për të dyshuarin kryesor Boban Iliç, por gjatë përshkrimit të rastit, prokuroria vlerëson se autori fillimisht i ka ikur sulmit dhe më pas ka kryer veprën.

“Duke i ikur sulmit, i dyshuari është drejtuar kah qendra e qytetit, ku me mjetin e tij vozitës të markës “ Mercedes” ka tentuar ta shkelë personin e dëmtuar, gruan e tij dhe fëmijën e mitur. Që të tre kanë qenë të lënduar ndërsa me lëndime më të rënda trupore e ka pësuar fëmija”, njoftuan nga Prokuroria themelore e Kumanovës. LEXO EDHE Vogëlushi në protestë: Stop dhunës ndaj fëmijëve, na lini të jetojmë (FOTO)

Ndërkaq, nga pikëpamja sociale, Vllado Dimovski mendon se bëhet fjalë për rast sporadik dhe nuk duhet të merret si pretekst për nxitjen e marrëdhënieve ndëretnike.

“Rasti i fundit në Kumanovë nuk duhet të trajtohet si shkëndijë fillestare për mosmarrëveshje ndëretnike. Por, nga ajo që lexoj nëpër portale dhe nga zërat të tjerë mediatikë, po shoh se janë nxehur pasionet dhe atmosfera në planin ndëretnik. Bëhet fjalë për një rast të izoluar që duhet ta dënojnë të dy palët. Të merrni jetën e një krijese të pafajshme, kjo është për t’u dënuar në çdo aspekt”, tha Vllado Dimovski.

Dimovski beson se kumanovarët nuk do të bien në provokime për përfitime të personave apo grupeve të caktuara ashtu siç nuk ranë as në ngjarjet e vitit të kaluar në lagjen e Trimave.

Rasti makabër ka ngjallur reagime të jashtëzakonshme nga të gjitha trevat shqiptare, por nuk kanë munguar edhe reagimet e bashkëqytetarëve maqedonas të cilët e dënojnë ashpër marrjen e jetës së një të mituri. Vrasësi ka emër dhe mbiemër dhe nuk duhet etiketuar në bazë etnike./Alsat-M/