Ferizaj

Votohet për anëtarët e KPK-së nga radhët e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Ferizajt dhe Gjilanit

By FerizajPress

October 22, 2020

Sot është mbajtur dita e dytë e procesit të zgjedhjes së anëtarëve prokurorë të Këshillit Prokurorial të Kosovës nga radhët e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Ferizajt dhe Gjilanit.

Nga gara për anëtarë të KPK-së në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, prokurorja Jehona Grantolli mori 25 vota, prokurori Shkelzen Ibrahimi 10 vota dhe prokurori Armend Hamiti mori 19 vota.

Në atë të Ferizajt, prokurori Veton Shabani mori 12 vota, ndërsa prokurori Valdet Avdiu mori 7 vota.

Në garën për anëtarë të KPK-së në Prokurorinë Themelore të Gjilanit, prokurorja Leonora Kadriu mori 1 votë, ndërsa prokurori Jetish Maloku mori 14 vota.

Pas përfundimit të procesit zgjedhor për anëtar të KPK-së, i cili parashihet të zgjasë tri ditë, Komisioni Zgjedhor do të hartojë raport lidhur me rezultatet e votimeve dhe do ta paraqesë para KPK-së.

Në ditën e tretë të votimeve, zgjedhjet do të mbahen në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës dhe Pejës.

Më 9 tetor, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kishte njoftuar se tërhiqet nga procesi i mbikëqyrjes së zgjedhjes së anëtarëve të rinj në KPK si dhe zgjedhjes së kryeprokurorëve. Ky vendim ishte marrë për shkak të mungesës së transparencës dhe konfliktit të interesit, kishte thënë ambasada.

Një ditë më pas, edhe Bashkimi Evropian kishte deklaruar se tërhiqet nga ky proces, me arsyetimin se BE-ja ka dilema rreth këtij procesi.