Ferizaj

Vodhën pesë pula dhe dy gjela në Kaçanik, dënohen me 400 euro gjobë dhe 120 orë punë

By FerizajPress

April 30, 2022

Gjykata Themelore në Ferizaj, dega në Kaçanik, i ka dënuar me 400 euro gjobë dhe 120 orë punë në dobi të përgjithshme, A.M. dhe T.R., të cilët akuzoheshin se në bashkëkryerje kanë hyrë në oborrin e të dëmtuarit B.R., dhe te koteci i pulave ia kishin marrë pesë pula dhe dy gjela.

Një vendim të tillë e ka marrë gjykatësja Zajrete Muhaxheri, më 3 dhjetor të vitit të kaluar, pasi dy të akuzuarit e kanë pranuar fajësinë.

Sipas aktgjykimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, i akuzuari A.M. është dënuar me 250 euro gjobë kurse i akuzuari T.R. me 150 euro gjobë.

Ndaj tyre fillimisht është shqiptuar edhe burgimi efektiv me nga një muaj secilit, por që me pëlqimin e tyre ky dënim iu është zëvendësuar me punë në dobi të përgjithshme, ashtu që secilit veç e veç do të punojë në kohëzgjatje prej 60 orëve.

Prokuroria Themelroe në Ferizaj, më 24 shkurt 2021, ka ngritur aktakuzë ndaj A.M. dhe T.R., me arsyetimin se ata në janar të vitit të kaluar në Komunën e Kaçanikut, në bashkëkryerje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, hyjnë në oborrin e të dëmtuarit B.R., shkojnë te koteci i pulave, dera e të cilit ka qenë e hapur dhe aty marrin pesë pula dhe dy gjela, duke shkaktuar dëm prej 100 eurove.

Me këtë, A.M. dhe T.R. akuzoheshin se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Vjedhja”, nga neni 313 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe me burgim deri në tre vjet.