Ferizaj

Vlerësohet me 100% transparenca e Komunës në prokurim publik dhe aktivitet buxhetor

By FerizajPress

July 19, 2019

Se Komuna e Ferizajt ka bërë përparime të dukshme dhe hapa të rëndësishëm në reformimin e resurseve vetanake në funksion të rritjes së transparencës dhe llogaridhënies para qytetarëve, tashmë është një fakt lehtë i verifikueshëm. Vlerësimet e fundit në domenin e transparencës për Komunën e Ferizajt vijnë nga Instituti Demokratik i Kosovës me analizën dhe publikimin e fakteve mbi transparencën komunale, gjegjësisht, aktivitetin buxhetor dhe prokurimin publik.

Në publikimin e fundit të këtij Instituti, Komuna e Ferizajt merr vlerësim të qind për qind të publikimit të dokumenteve të prokurimit publik dhe dokumenteve të tjera buxhetore në ueb faqen e Komunës, çka flet për një transformim rrënjësor dhe avancim tërësor e thelbësor të ofrimit të qasjes për qytetarët në këto fusha.

Sipas infografikës së publikuar nga KDI, Komuna e Ferizajt ka shënuar rritje prej 86% në vitin 2018 krahasuar me vitin paraprak 2017, sa i përket transparencës buxhetore. Madje, edhe interesimi i qytetarëve për qasje në informacionin e publikuar në ueb faqen e Komunës, është rritur. Kjo faktohet edhe me numrin prej 117,319 vizitave që janë realizuar në ueb faqen e Komunës së Ferizajt. Edhe kontratat me operatorët ekonomik janë publike në ueb faqen zyrtare të Komunës në kuadër të pjesëmarrjes së Komunës sonë në iniciativën për komuna të hapura, efektive dhe llogaridhënëse, nga ku janë publikuar 108 kontrata të tilla.

Qeverisja Aliu në vazhdimësi ka marr vlerësime për transparencën komunale nga organizata vendore e të huaja dhe si rezultat i performancës së mirë është shpërblyer edhe me grante të caktuara. Edhe ky vlerësim së fundmi, është fakt i rëndësishëm që krijon mundësinë që Komuna e Ferizajt të renditet në mesin e komunave më transparente në nivel republikan, duke siguruar edhe fonde përkatëse nga vlerësimet e tilla.