Lajme

Vjosa Osmani e Ismet Beqiri nominohen prej Degëve për Kryetar të Prishtinës

By FerizajPress

July 09, 2017

Ismet Beqiri po vazhdon ta marrë seriozisht garën për Kryetar të Prishtinës, pavarësisht, se në zgjedhjet e fundit nacionale doli shumë keq me vota. Madje, Sekretari i Përgjithshëm i LDK’së mori shumë vota më pak se garda e re në LDK si: Vjosa Osmani, Lumir Abduxhiku, Driton Selmanaj.

Pavarësisht kësaj, Beqiri është nominuar për kandidat për Kryetar të Prishtinës nga Dega e Parë e LDK’së. Në këtë Degë, Beqiri është Kryetar.

Këtë e ka bërë të ditur ish-deputetja e LDK’së, Njomza Emini. Ajo ka marrë pjesë në mbledhje dhe ka votuar pro kandidaturës së Beqirit për Kryetar të Prishtinës.

“Për kryetar të Prishtinës është kandiduar sekretari i partisë Ismet Beqiri dhe të gjithë anëtarët e kësaj degë në mënyrë unanime kanë përkrahur Beqiqrin”, ka thënë Emini, për emisionin “Ju Flet Prishtina” në “Klan Kosova”

Sidoqoftë, ish kryetari i Prishtinës, Ismet Beqiri, ka shfaqur ambiciet e tij për ta udhëhequr kryeqytetin edhe për një mandat dhe ka bërë fushatë qe disa javë. Ka mbajtur takime e mbledhje me anëtarë e simpatizantë të LDK-së nëpër pjesë të ndryshme të Prishtinës. 

Në garë për Kryetare të Prishtinës është përmendur edhe Vjosa Osmani, ku u raportua se Dega e Tretë e LDK’së e ka nominuar për Shefe të Kryeqytetit, shkruan Express.

Në emisionin Komiteti, Vjosa Osmani kishte thënë se kandidati i LDK’së për Prishtinë duhet të jetë një njeri që ka vota dhe që ka përkrahjen e strukturave të partisë. Ka thënë se pa këto dy elemente fitorja në qytetit më të madh të Kosovës është e pamundshme.

Në zgjedhjet e fundit lokale, Isa Mustafa kishte humbur përballë Shpend Ahmetit të Vetëvendosjes.

Edhe në zgjedhjet e fundit nacionale, Vetëvendosje doli e para në Prishtinë derisa LDK e dyta.

Vendimin se kush do të jetë kandidat për Kryetar të Prishtinës pritet të merret në Kryesinë e LDK’së pas propozimit që bëjnë të gjitha degët.