Lajme

Vjen reagimi i drejtorit të Policisë pas rastit të keqpërdorimit seksual të së miturës

By FerizajPress

February 06, 2019

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, ka komentuar skandalin e fundit ku një polic hetues dyshohet se ka keqpërdorur seksualisht një të mitur 16 vjeçare nga Drenasi.

“Fatkeqësisht opinioni kosovar është informuar dje për një rast të një kolegu tonë i cili dyshohet që ka keqpërdrur detyrën zyrtare duke e keqpërdorur seksualisht një të miture. Kolegu është suspenduar dje me kërkesën e Inspektroiatit Policor të Kosovës dhe poashtu është arrestuar për veprën që dyshohet që e ka kryer”, thotë Qalaj për Ballkan.info

Ai vlerëson se ky është lajm tronditës për secilin qytetar të Kosovës, për secilin polic të Policisë së Kosovës dhe për të gjithë menaxhmentin e policisë.

“Dyshimet për kryerjen e këtij akti janë ose japin një mesazh shumë të keq për shkak se kemi të bëjmë me një zyrtar policor, me një njeri me uniformë, me një njeri që është betuar të zbatojë ligjin, të mbrojë qytetarin dhe gjithmonë polici konsiderohet dhe duhet të konsiderohet nga qytetari si njeriu që është vijën e parë që mbron pronën, jetën dhe gjitha të tjerat”, ka thënë Qalaj.

“Ne si zyrtarë policor poashtu jemi edhe prindër dhe shumica e policëve kanë edhe fëmijë dhe një dyshim për një rast të tillë edhe nga aspekti njerëzor edhe nga aspekti human edhe nga aspekti zyrtar është mjaftë i rëndë, është i papranueshëm dhe e gjykojmë me forcë. Unë si drejtor i përgjithshëm i policisë konsideroj se dyshimet për raste të tilla në asnjë moment nuk do të ndodhin dhe nuk do të duhen të tolerohet absolutisht në asnjë moment për shkak se qytetarët tanë, fëmijët tanë nëse keqpërdorohen nga personi zyrtar i cili është i thirrur për t’i mbrojtur atëherë cili është mesazhi”, thekson tutje ai.

Sipas Qalajt, kjo ngjarje do të bëjë që në atë stacion policor edhe në stacionet tjera policore edhe në njësitet tjera në kuadër të Policisë së Kosovës të veprohet me aktivitete të shumta inspektuese-kontrolluese.

“Të bëjmë edhe më shumë në ngritjen dhe integritetin e policit dhe të gjithë ata që bien ndesh me të gjitha këto, që bien ndesh me kodin e etikës, të mos kenë vend në Policinë e Kosovës. Andaj, mesazhi im është drejtuar të gjithëve qytetarëve të Kosovës dhe poashtu të gjithë zyrtarëve të Policisë së Kosovës që të punojnë shumë, të trajtojnë njerëzit me dinjitet, të trajtojnë të gjithë njerëzit pa dallim në mënyrën më të mirë të mundshme, të zbatojnë ligjin në përpikëri dhe me sjelljet e tyre, me kontributin e tyre, me aktivitetet e tyre, me punën e tyre, të reflektojnë sigurinë e qytetarit të Kosovës dhe të gjthë qytetarët tjerë që mund të jenë në Kosovë dhe që nuk janë nga Kosova”, ka thënë në fund Qalaj.