Ferizaj

Vjen lajmi i fundit për zjarrin që ndodhi në supermarketin në Ferizaj

By FerizajPress

February 15, 2022

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Shukri Jashari, ka konfirmuar për Gazetën Express përfundimin e ekzaminimit të vendit të ngjarjes te supermarketi në Ferizaj, aty ku zjarri nuk u lokalizua deri në orën katër të mëngjesit të sotëm.

Kryeprokurori Jashari tha se ekzaminimet janë kryer nga njësiti i rrymës dhe njësitet e tjera relevante, duke theksuar se raporti mbi shkaqet e zjarrit pritet të mësohet nesër.

“Para 10 minutave ka përfundua ekzaminimi i vendit të ngjarjes. Aty ishte njësiti i rrymës, i zjarrit etj. Raportet besoj se nesër do të dalin për të mësuar shkaqet”, tha Jashari

Ai tha se rasti i djegies së supermarketit është hapur në Prokurorinë Themelore të Ferizajt, teksa konfirmoi se deri më tani nuk është intervistuar asnjë person, kjo për shkak se nuk e posedojnë akoma raportin e ekzaminimit.

Ekipit të zjarrfikësve i është dashur të qëndrojnë deri në orët e mëngjesit për të shuar tërësisht zjarrin që ka kapluar objektin e “Viva Fresh Store” në Ferizaj.

Policia ka konfirmuar se si pasojë e zjarrit ka dëme të konsiderueshme materiale, ndërsa nuk ka njerëz të lënduar.

Shkaktarët e zjarrit mbeten akoma të panjohur, teksa hetimet po vazhdojnë për zbardhjen e shkaqeve që çuan deri te djegia e këtij supermarketi.

Për këtë rast është deklaruar edhe Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, ai ka qëndruar në afërsi të objektit “Viva Fresh Store” dhe ka ndarë pamje sesi duket sot ajo zonë.

Ai ka përgëzuar ekipin e zjarrfikësve, që sipas tij, bëri shumë për të minimizuar dëmet materiale.