Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Ferizaj është thellësisht e indinjuar dhe e shqetësuar nga presioni, provokimet dhe shantazhimet që kohët e fundit po i bëhen personelit të saj shëndetësor në vendin e punës nga persona jozyrtar, të pa autorizuar dhe klandestinë të Lëvizjes VV. Ne i vlerësojmë si të dyshimta, jo ligjore dhe qëllimkëqija vizitat e tilla të disa personave të Lëvizjes VV të cilët përmes mënyrave të ndryshme të presionit në disa Institucione Shëndetësore përpiqen të kenë qasje edhe në dokumentet konfidenciale institucionale, në të cilat ruhet edhe privatësia e pacientit. Akte të tilla janë të dënueshme, aq më tepër kur merret parasysh fakti se QKMF target të saj ka trajtimin dhe respektimin e qytetarit, duke u përkujdesur për ruajtjen e të dhënave të tyre dhe duke respektuar Betimin e Hipokratit. Kërkojmë nga akterët e tillë që të kenë kujdes dhe të heqin dorë nga veprimet e tilla të panevojshme, sepse QKMF është e gatshme për bashkëpunim institucional dhe u ofron informacionet e nevojshme personave kompetetent dhe të autorizuar. Ne vlerësohemi nga inspektorët dhe organet e tjera përgjegjëse që e monitorojnë punën tonë, por gjithnjë duke i respektuar rregullat e inspektimit dhe vlerësimit institucional dhe duke njoftuar menaxherët për prezencën e tyre në institucionet tona. Mirëpo, marrjen e informacioneve në mënyrë tendencioze dhe të paautorizuar nuk mund ta lejojmë në asnjë mënyrë. Menaxhmenti dhe personeli i QKMF-së garanton se jemi në mbështetje të qytetarëve dhe punëtorëve tonë duke iu afruar mosshqetësim dhe siguri në vendin e tyre të punës dhe njëherësh ju njoftojmë se për këto lëvizje të dyshimta të personave të pautorizuar, jemi të obliguar do t’i njoftojmë organet kompetente të sigurisë dhe drejtësisë.