Lajme

Vizita e Grupit të Miqësisë me Slloveninë, në Kuvendin Kombëtar të Sllovenisë

By FerizajPress

October 12, 2016

Një delegacion i Kuvendit të Republikës së Kosovës, është duke qëndruar në një vizitë zyrtare në Lubjanë të Sllovenisë. Delegacioni i Kuvendit të Kosovës, në përbërje: Elmi Reqica, kryetar i Grupit të Miqësisë Kosovë-Slloveni dhe njëherësh drejtues i delegacionit, Slobodan Petroviç, nënkryetar i Kuvendit dhe anëtar i këtij grupi; Shpejtim Bulliqi, Xhevahire Izmaku, Albulena Haxhiu dhe Enver Hoti, anëtarë, i shoqëruar nga ambasadori i Kosovës në Lubjanë, është pritur dje në takime të ndara nga kryetari i Kuvendit Kombëtar të Sllovenisë, Milan Berglez dhe kryetari i Grupit të Miqësisë me Kosovën në Kuvendin Kombëtar të Republikës së Sllovenisë, Franc Trcek.

Thellimi i bashkëpunimit mes dy vendeve, çështja e zgjidhjes së kufirit me Malin e Zi dhe mundësia e Kosovës në integrimet euro-atlantike, ishin temat e diskutimit në këto takime. Gjatë këtyre dy takimeve, kryetari i Grupit të Miqësisë me Slloveninë në Kuvendin e Kosovës, Elmi Reqica, në vazhdimësi kërkoi përkrahjen e shtetit slloven në rrugën e Kosovës drejt integrimit në BE dhe anëtarësimin në NATO. Duke i dëshiruar mirëseardhje delegacionit të Kuvendit të Kosovës, kryetari i Kuvendit Kombëtar të Sllovenisë, Milan Berglez, theksoi se marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve janë të shkëlqyeshme dhe se Sllovenia mbetet mbështetëse e fuqishme e integrimit të Kosovës në strukturat euro-atlantike. Z. Berglez konfirmoi mbështetjen e tij dhe te shtetit slloven për integrimin e Kosovës në BE dhe NATO, ndërsa bëri të ditur se planifikon të realizojë një vizitë zyrtare në Kosovë, qëllimi i të cilës do të jetë njoftimi nga afër me procesin e Kosovës drejt anëtarësimit në NATO. Kryetari i Grupit të Miqësisë, Elmi Reçica, e njoftoi kryetarin Berglez me zhvillimet në Kosovë, ku veçoi përcaktimin e përbashkët të të gjitha subjekteve politike për proceset integruese. Gjithashtu, z. Reçica nënvizoi edhe rëndësinë e bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve. Në takimin me Grupin e Miqësisë me Kosovën, në parlamentin slloven, u bisedua për thëllimin e mëtejmë të bashkëpunimit parlamentar, si dhe për projekte të përbashkëta në avancimin e bashkëpunim ndërparlamentar në rajon.

Dy kryetarët e grupeve të miqësisë, Franc Trček dhe Elmi Reçica, me delegacionet respektive, u pajtuan që simbolika e emërtimit të grupeve të tilla përkon plotësisht me miqësinë reale mes dy vendeve. Miqtë parlamentarë sllovenë u zotuan se do të jenë gjithnjë mbështetës të zëshëm të Kosovës në rrugëtimin e saj të mëtejmë në proceset integruese euro-atlantike. Vizita në Slloveni, e cila vazhdon edhe sot, është iniciativë e Kuvendit të Kosovës, përmes grupeve të miqësisë, në funksion të zhvillimit të diplomacisë parlamentare. Sllovenia mbetet një nga vendet më mbështetëse të politikave të zgjerimit të BE-së, në rajon.