Ferizaj

Vihet gurthemeli i Qendrës së Sporteve dhe Panaireve në Greme, paralajmërohen edhe shumë projekte të mëdha për Ferizajn

By FerizajPress

September 11, 2018

Ferizaj.11.09.2018. Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, bashkë me Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, deputetët e Kuvendit të Kosovës, Elmi Reçica dhe Mexhide Mjaku Topalli, zëvendësministra në Qeverinë e Republikës së Kosovës, ish Kryetari i Ferizajt, Bajrush Xhemaili, Kryesuesja e Kuvendit të Komunës, Kristina Gashi Bytyqi, drejtorë komunal si dhe qindra qytetarë morën pjesë në vënien e gurthemelit të Qendrës së Sporteve dhe Panaireve në Greme, projekt ky i financuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

Duke falënderuar veç e veç të gjithë drejtuesit politik të nivelit qendror për shtyrjen përpara të këtij projekti dhe projekteve të tjera që po realizohen, i pari i Ferizajt, Agim Aliu tha se ndërtimi i Qendrës së Sporteve dhe Panaireve në Greme është fuqizim i mëtejme i siç e quajti ai kryevendbanimit të zhvillimit ekonomik, fshatit Greme dhe Ferizajt në përgjithësi.

“Vërtet sot jam i privilegjuar që jam këtu për faktin se duhet të ndjehem jashtëzakonisht vlerësues ndaj mbështetjes që kemi si qytetarë të Komunës së Ferizajt dhe unë si kryetar i tyre. Ja sot jemi edhe në një ngjarje tjetër, të rëndësishme për qytetarët e Komunës së Ferizajt dhe për mua si kryetar. Në një ngjarje që do të vihet gurthemeli i një qendre shumë të rëndësishme për Ferizajn por në mënyrë të veçantë për banorët, qytetarët dhe komunitetin e biznesit të fshatit Greme dhe fshatrave të kësaj ane. Kjo vëmendje e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe e Qeverisë së Republikës së Kosovës është se tashmë Ferizaj është kryeqendër e zhvillimit ekonomik, ndërsa Gremja është krye vendbanimi i zhvillimit ekonomik për Ferizajn. Por kjo nuk flet për zhvillimin ekonomik dhe qasjen që ka Kuvendi i Republikës së Kosovës, që ka Qeveria e Republikës së Kosovës, që ka Komuna e Ferizajt vetëm për zhvillimin ekonomik, por mbi të gjitha flet për atë se vërtet dëshiron të ndërtoj një të ardhme të sigurt për rininë tonë dhe jo rastësisht platforma ime dhe qeverisja ime ka filluar me vendimin për t’u themeluar dhe ndërtuar Qendra e Inovacionit. Është qendra e parë në Republikën e Kosovës dhe kjo siç thashë tregon më së miri, përkushtimin, vullnetin e Kuvendit dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Po krijojmë një mundësi më shumë në Greme, e cila është vend dhe sinonim i zhvillimit ekonomik në Komunën e Ferizajt dhe që tregon se ne dalëngadalë, zhvillimin ekonomik, nga zonat urbane po e bartim në zonat rurale dhe sot, vënia e gurthemelit të Qendrës së Sporteve dhe Panaireve do të jetë një mundësi më shumë, për shkollën “Jeta e re” në Greme, do të jetë një mundësi më shumë për nxënësit, për të rinjtë e këtij lokaliteti, një mundësi më shumë për komunitetin e biznesit. Falënderoj Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ministrin zoti Kujtim Gashi i cili është mbështetës i përhershëm i këtyre politikave dhe projekteve që do ta avancojnë perspektivën e sigurt të të rinjve tanë. Më lejoni të përshëndes, mbështetësit tanë lokal, zëvendësministrat e Qeverisë së Republikës së Kosovës, por gjithsesi në mënyrë të veçantë, më lejoni të falënderoj deputetët tanë, deputetin Elmi Reçica dhe deputeten Mexhide Mjaku Topalli për një mbështetje të fuqishme që janë duke i dhënë projekteve të mia në Qeveri dhe Kuvendin e Republikës së Kosovës. Shfrytëzoj këtë rast që të falënderoj edhe Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj që poashtu është vënë në mbështetje të projekteve të mia, por gjithsesi sot, me ardhjen e tij jo vetëm fizike por që vazhdueshëm me konsulenca e takime, gjithmonë tregon përkushtimin, vullnetin por mbi të gjitha mbështetjen për ecjen e sigurt për të zënë ritmet e Ferizajt, Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, për faktin se për të gjitha projektet që po realizohen për herë të parë në Ferizaj nuk do të ishin pjesë e buxhetit të Republikës së Kosovës, pa këtë këmbëngulësi dhe mbështetje, i cili nuk i ka bërë as dy fjalë siç thotë populli, që sot ne të vëmë gurthemelin për këtë Qendër Sportive dhe të Panaireve. Faleminderit, ta gëzoni përgjithmonë këtë vepër infrastrukturore” tha i pari i Ferizajt, Agim Aliu.

Në anën tjetër, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, u shpreh i lumtur për këtë investim në fshatin Greme, në njërën nga qendrat më të industrializuara në Kosovë. Ai ndër të tjera tha se për të realizuar projekte në interes të qytetarëve, duhet të kemi një kryetar siç është Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu i cili jeton me brengat dhe qëllimet e qytetarëve siç u shpreh kryetari Veseli. Madje, për të konfirmuar edhe njëherë mbështetjen për Ferizajn nga Qeveria dhe Kuvendi i Republikës së Kosovës, kryetari Veseli u zotua para banorëve të Gremes dhe qytetarëve të Ferizajt se projekti siç e quajti ai i shekullit për Ferizajn, projekti “Bashkimi i Qytetit” – ka mbështetjen e plotë nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës, për ta transformuar Ferizajn në një qendër të rëndësishme në nivel vendi.

“Nuk është e mundshme të kryhet asnjë projekt i mirë për qytetarët tanë pa e pas një kryetar të mirë, bashkëpunues i cili ka vizion, i cili ka qëllim, i cili jeton me brengat dhe qëllimet e qytetarëve tanë. Për këtë arsye dëshiroj në mënyrë të veçantë të falënderoj ju Kryetar i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu që me përkushtimin, angazhimin e bëtë të mundshme që në afat rekord ky projekt i cili është për një fshat në Komunën e Ferizajt e shumica e qytetarëve të Republikës së Kosovës, nuk e dinë se ky fshat është një nga qendra më industriale të Republikës së Kosovës, ku në mënyrën absolute pothuaj të gjithë janë të punësuar. Ky projekt i cili po ndërtohet sot e meritojnë qytetarët e Ferizajt dhe Gremes për vet faktin se janë taksapaguesit më të mëdhenj në Buxhetin e Republikës së Kosovës, përmes së cilës ndërtohet edhe ky projekt. Po të njëjtën kohë, ky projekt nuk do të kishte filluar pa qenë rrugëtimi jonë i lirisë. Unë kam kaluan këndej në vitin 1999 së bashku me Presidentin aktual të Republikës së Kosovës pas kthimit nga Rambuje, kjo ka qenë rruga e lirisë, e jona. Si Ferizaj edhe gjithë Kosova ka dhënë shumë. Përshëndes nënën e dëshmorit të lirisë, Agim Matoshi. Faleminderit për gjithçka keni dhënë për lirinë e Kosovës. Nuk do të ketë projekt i cili do të jetë në interesin e qytetarëve të Komunës së Ferizajt, të cilin nuk do ta përkrahim. Ne sot kemi bashkëbiseduar me Kryetarin e Komunës, Agim Aliu, zëvendësministrat dhe deputetet e Kuvendit të Republikës së Kosovës, do ta realizojmë projektin e shekullit për Komunën e Ferizajt, janë rreth 7 milionë që jemi duke i investuar në “Bashkimin e Qytetit” aktualisht, të cilat do të përfundojnë në vitin 2019. Por ju zotohem ju bashkërisht që me kryetarin Agim Aliu, me Qeverinë e Republikës së Kosovës, brenda vitit 2021, përpara do ta kryejmë “Bashkimin e Qytetit” duke e ndërtuar një nga projektet më të mira, siç e kemi autostradën “Arbën Xhaferri”, do të ndërtojmë edhe hekurudhën përmes qytetit, përmes urës që të kemi vërtet bashkimin e qytetit në Komunën e Ferizajt. Urime rinisë, në mënyrë të veçantë sportdashësve, kjo sallë sportive të cilën e meriton Gremja” – tha Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli.

Ndër të tjera, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli potencoi se këtë projekt e kanë iniciuar deputetët e Kuvendit të Kosovës, Elmi Reçica dhe Mexhide Mjaku Topalli.

Edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi tha se kjo qendër është e para e këtij lloji në Republikën e Kosovës dhe se projekte të tjera do të vijnë në Ferizaj siç është ndërtimi i Qendrës Multifunksionale, renovimi i Qendrës Rinore dhe të tjera për të cilat u zotua se do t’i mbështes pa asnjë mëdyshje.

“Është një ditë shumë e veçantë, shumë e rëndësishme për faktin se jo veç se po transformojmë infrastrukturën sportive nga klasike në atë moderne, sepse palestra e Gremes është njëri prej projekteve më moderne që po investon Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në infrastrukturën sportive. Ju të nderuar banorë duhet ta falënderoni pikërisht Kryetarin e Kuvendit, i cili që nga dita e parë kur më është besuar ta drejtoj Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, sa herë që jemi takuar ma ka përmendur projektin e Gremes, që sa më parë ta shpejtoni procedurën për fillim, prandaj falënderimi i takon Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli. Ky projekt kapital i cili do të financohet 100% nga Buxheti i Qeverisë së Republikës së Kosovës, përkatësisht nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do të ketë një kosto 1 milionë e 200,000 euro, bashkë me Kryetarin e Komunës, sipas dinamikës së punës do ta përfundojmë në vitin 2019. Padyshim që ky nuk do të jetë projekti i vetëm në Komunën e Ferizajt. Jemi dakorduar edhe me Kryetarin Aliu por edhe me deputetët e nderuar që vazhdimisht insistojnë që të ketë projekte në Ferizaj. Jemi në finalizim të renovimit të Qendrës Rinore, besoj shumë shpejt do ta inaugurojmë dhe ajo çfarë është më e rëndësishme bashkë me insistimin e kryetarit Veseli por edhe kërkesën e kryetarit Aliu në vitin 2019, qyteti i Ferizajt do të bëhet edhe me Qendrën Multifunksionale Sportive-Kulturore dhe Rinore dhe do të jetë projekti i parë i tillë në Republikën e Kosovës. Ky projekt i llojit të tillë është i pari në Republikën e Kosovës por do të vazhdojmë edhe në komunat tjera. Urime, ta gëzojmë bashkërisht, dalshim faqebardhë nga ky projekt” tha ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi.

 

Guthemelin e kësaj godine e vunë nëna e Dëshmorit të Kombit, Agim Matoshi, Hanife Matoshi, babai i Dëshmorit të Kombit, Ismet Aliu, Ramiz Aliu, Drejtori i Shkollës “Jeta e re”, Jeton Ahmeti, si dhe Burhan Mani nga komuniteti i biznesit.