Lajme

Vetëvendosje vazhdon të kritikoi qeverisjen e Shpend Ahmetit në Prishtinë

By FerizajPress

August 01, 2018

Diskutimet publike, sipas VV-së, bëhen sa për të përmbushur obligimet ligjore por pa pjesëmarrje të qytetarëve sepse nuk njoftohen si duhet ata dhe mbahen gjatë orarit të punës.

“Kërkesat e qytetarëve nuk shqyrtohen dhe shumica e tyre mbesin pa përgjigje nga dikasteret e komunës. Kryetari i Komunës nuk merr pjesë as në seancë të Kuvendit Komunal dhe as në diskutime me qytetarët. Pra kemi të bëjmë me papërgjegjëshmëri në raport me qytetarët e Prishtinës”, thekson Vetëvendosje, raporton Koha.net. Tutje, kjo parti thotë se kryetari i Komunës, Shpend Ahmeti, bashkë me drejtorin e Investimeve Kapitale Gëzim Mehmeti, gjatë ditës së sotme paraqitën në konferencë për media disa projekte, mirëpo thonë se të njëjtat “janë paraqitur më herët sepse janë projekte të viteve të kaluara në infrastrukturën lokale”.

“Një konferencë me lajme të vjetra nuk mund të mbulojë raportin e punës për gjashtë mujorin e parë ku vërehen qartë dështimet e qeverisjes në Prishtinë. Tani, para se ky raport, ku dallohet dështimi, të diskutohet në Kuvendin Komunal, ai mundohet të paraqes disa të arritura në projektet e infrastrukturës”, deklaron VV.

Ish-partia e Ahmetit, i cili tashmë ka kaluar në PSD ku është edhe kryetar, thotë se të gjitha këto projekte janë të kontraktuara nga qeverisja e kaluar dhe se asnjë kontratë e re deri më sot nuk është nënshkruar në projekte të infrastrukturës rrugore. Për gjashtë muajt e 2018-ës, sipas VV-së, është realizuar vetëm 19 % i buxhetit në drejtorinë e Investimeve Kapitale.

“Që po realizohen projektet e nisura dhe publikuara më herët është mirë, por gjithkush është duke pritur që të realizohen projektet e reja të zotuara. Nëse deri më tani, pra 1 gusht 2018, nuk është nënshkruar asnjë kontratë e re për këtë vit, nuk do të realizohet asnjë projekt i ri”, thotë VV.

Tutje, kjo parti thotë se premtimi i Ahmetit gjatë fushatës zgjedhore se do të ndërtohet rruga “A”, nuk do të realizohet as vitin e ardhshëm pasi që, sipas tyre, “rruga ‘A’ as nuk është e projektuar e as nuk ka filluar ende asnjë procedurë për projektimin e saj”. “Shpendi në fushatë premtoi ndërtimin e rrugës ‘A’. Sot deklaroi se rruga ‘A’ do të realizohet gjatë vitit të ardhshëm. Ne i informojmë qytetarët se rruga ‘A’ as nuk është e projektuar e as nuk ka filluar ende asnjë procedurë për projektimin e saj. Edhe sikur tani të kishin filluar punimet për ndërtimin e saj, nuk do të mund të përfundonin gjatë vitit të ardhshëm sepse ndërtimi i rrugës ‘A’ ka kosto shumë të lartë. Kjo rrugë fillon nga lagja e Kalabrisë e deri në lagjen Mati dhe është rrugë me katër korsi sipas planit rregullues. Gjerësia e saj është minimum 32 metra dhe Komuna as që ka filluar me procedurat e shpronësimit e as të projektimit të rrugës. Me këtë mënyrë të mospunës, kjo rrugë nuk mund të përfundojë as vitin e ardhshëm megjithë dëshirën tonë që kjo rrugë të bëhet sepse është tepër e rëndësishme për komunën tonë”, thekson Lëvizja Vetëvendosje në reagimin dërguar mediave.

Ish-partia e Ahmetit ka kritikuar të parin e Komunës edhe në lidhje me Unazën e qytetit, projekt të cilin Ahmeti tha se do të përfundojë më 2020. Por, VV thotë se kjo tregon se “ai nuk kupton asgjë nga realizimi i projekteve infrastrukturore”.

“Ky është projekt shumë madhor për komunën dhe është projektuar në vitin 2009. Së pari, do të duhej që të bëhej një revidim i këtij projekti sepse tani ka ecur shumë përpara teknologjia e ndërtimit të rrugëve dhe mund të bëhej revidimi i këtij projekti dhe me këtë rast do të rritej kualiteti i rrugës dhe zvogëlimi i kostos. Edhe për këtë projekt ende nuk ka filluar procedura e shpronësimit prandaj me gjithë dëshirën tonë nuk mund të realizohet deri në vitin 2020”, thekson VV.

Në fund, Lëvizja Vetëvendosje kërkon nga Shpend Ahmeti që të fillojë me realizimin e premtimeve që i ka bërë në fushatë dhe të ndalojë konferencat të cilat VV i quan “boshe” ku “paraqet projekte të filluara nga qeverisja e kaluar e që janë prezantuar njëherë para publikut shumë më herët”.