Ferizaj

‘’Vetëvendosje’’ kërkon përgjegjësi për gjendjen e shëndetësisë në Ferizaj

By FerizajPress

May 04, 2017

Lëvizja Vetëvendosje në Ferizaj, u shpreh e shqetësuar me, siç tha, skandalet që po përcjellin shëndetësinë në këtë qytet. Sipas Shyqeri Hysenit, nga nënkomiteti për shëndetësi i kësaj lëvizje, qeverisë Svarqa nuk i intereson shëndeti i qytetarëve, por rregullimi i shesheve e i asfalteve, ngase aty sipas tij, aty përfitojnë më shumë personalisht.

“Në QKMF-1 numëruesi elektronik nuk e lexon formulën leukocitare, në QKMF-2, laboratori jo tërësisht i kompletuar dhe nuk kryhen shpesh analizat rutinë, në laboratorë punojnë laborantë jo të mirëfilltë, por ekolog, sanitarë e profesione të tjera që e punojnë biokiminë, aty punojnë dhe janë punësuar familjarë të Svarqës, që punojnë në participim, laboratori i emergjencës nuk punon tërë natën, por deri në orën 24:00, e pas mesnatës pacientët nuk mund të marrin shërbim, është bërë një program i sistemit informativ shëndetësor që është paguar 9400 euro e nuk është funksionalizuar kurrë, e kjo është bërë me kërkesë të QKMF-së, edhe në QKMF-4 laboratori jo tërësisht është i funksionalizuar dhe jo të gjitha analizat bëhen”, tha Hyseni.

Hyseni theksoi se dikush duhet të marrë përgjegjësinë për barnat pa banderola dhe ato me banderola të Serbisë, që u gjendën në depon e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Ferizaj.

“Këto ditë kishim edhe skandalin e barnave që u gjetën në depon qendrore të QKMF-së, barna këto të Serbisë me dhe pa banderola, të cilat u konfiskuan nga Inspektorati Farmaceutik, kjo më së shumti ka alarmuar qytetarët duke pyetur se prej nga erdhën këto barna dhe çfarë pasoja kanë tek ta. Këtij paniku duhet t’u përgjigjet drejtori i QKMF-së, drejtori i shëndetësisë dhe kryetari, nuk e di në këtë skandal kush është individi më përgjegjës dhe nëse është femër dhe ia ka prish terezinë kryetarit, mund të ia shqyej gojën, por nëse është mashkull të presim dhe të shohim se çfarë do t’i thotë”, theksoi Hyseni.

Hyseni kërkoi që të merren masa për, siç tha, këto skandale që po ndodhin nëpër institucionet shëndetësore të Ferizajt.