Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së nga Ferizaj kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që sa më shpejtë të ushtroj ligjshmërinë në veri të vendit dhe të luftojë bandat kriminale atje.
Sipas njoftimit nga kjo OVL-UÇK, veteranët ferizajas u shprehën në mbështetje të Qeverisë për rend e ligj e madje edhe të gatshëm t’i dalin në mbrojtje vendit në rast se rrezikohen forcat e sigurisë, përcjell TV TEMA.
Njoftimi i plotë nga OVL-UÇK:
Në mbledhjen e mbajtur me datë 17.12.2022, pas diskutimeve në Kryesinë e OVL-UÇK dega në Ferizaj, lidhur me zhvillimet e fundit në Mitrovicë, duke respektuar Statusin dhe Rregulloren e Punës të OVL-UÇK-së, kryesia sjell:
Ne si Kryesi e OVL-UÇK-së dega në Ferizaj, me shqetësim të thellë po i përcjellim zhvillimet në Mitrovicë të shkaktuara nga bandat e Serbise, përmes të cilave duan të shkaktojnë destabilizim në Republikën e Kosovës.
– Si Kryesi e OVL-UÇK-së dega në Ferizaj, konsiderojmë se barikadimi i rrugëve në pjesën e Mitrovicës, të nxitura e të sponsorizuara nga Serbia, janë akte të papranueshme sepse shkelin sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Republikës së Kosovës, janë akte të cilat sjellin acarim tek qytetarët e Kosovës, për të cilën kërkojmë nga Qeveria e Kosovës që të ndërmerrë të gjitha veprimet e ligjshme urgjente me qëllim të largimit të këtyre barrikadave, për të krijuar mundësi të barabarta të lëvizjes për të gjitha forcat e sigurisë dhe për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.
– Sa i përket kërkesës së ushtruar nga presidenti serb tek autoritetet e KFOR-it, lidhur me kthimin e njësive të caktuara të Serbisë brenda kufijve të Kosovës, vlerësojmë se kjo kërkesë është e papranueshme, për të cilën konsiderojmë se as nuk është dashur të pranohet një shkresë e tillë, sepse nxit zemërim në popullatën e vendit, e cila kërkesë asnjëherë nuk mund të realizohet, pasi që ato struktura kriminale serbe i kemi larguar nga Kosova në vitin 1999, e për të cilën premtojmë se kurrë më nuk kanë për tu kthyer, sepse kjo nuk do të lejohet nga Ne dhe populli i Kosovës.
– Si pikë shqetësuese e të papranueshme për ne janë edhe vendimet e nxjerrura nga Dhomat e Specializuara në Hagë, të cilat veprime nuk na kanë surprizuar, pasi që ne si veteran, që nga fillimi e kemi konsideruar se kjo gjykatë është politike, e aspak drejtësi, ku mund të sjellet drejtësi. Këto vendime politike të ofruara në emër të popullit të Kosovës janë zhvillime të manipuluara nga vetë shteti serb, e aspak veprime që pasqyrojnë luftën e përbashkët që kishim me Aleancën Veriatlantike të NATO-s që kishim për lirinë e trojeve tona.
“Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e drejtë, e pashmangshme dhe e domosdoshme” – këto fjalë të bashkëluftëtarit tonë – Calit para trupit gjykues janë fjalët e secilit prej nesh që kemi përjetuar luftën e egër me Serbinë, janë realiteti i historisë së Republikës së Kosovës, të cilën askush nuk mund ta ndryshoj e ta rishkruaj. Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka qenë dhe do të mbetet gjithmonë krenaria jonë kombëtare.
Andaj, Kryesia e OVL-UÇK-së dega në Ferizaj, kërkon nga Qeveria e Kosovës, që në një afat sa më optimal të mundshëm në Mitrovicë, në veriun e Kosovës ta ushtron ligjshmërinë e qeverisjes, ti luftoj pa kompromisë bandat serbe në këtë pjesë të shtetit tonë dhe të rikthejë lëvizjen e lirë.
Ne si veteran të UÇK-së, do të mbështesim çdo veprimtari të qeverisë, përmes së cilës sjellet rend e ligj në gjithë Kosovën, por edhe premtojmë se në momentin që rrezikohen forcat e sigurisë në vendin tonë, sikur që edhe kemi vepruar ne do të detyrohemi të i dalim në mbrojtje atdheut tonë.
Gjithmonë duhet të kujtojmë se sa e shtrenjtë është liria dhe sa mund e gjak është dashur për të ardhur këtu ku jemi, ne luftëtarët e lirisë e kemi obligim moral dhe kombëtar që shtetin e Kosovës ta mbajmë mbi themele të shëndosha, ndërsa qeveria e ka për obligim dhe përgjegjësi që të vazhdojë të ndërtojë një shtet të sigurtë, mirëfilltë demokratik dhe të zhvilluar.