Ferizaj

Vetëm 184 fëmijë me nevoja të veçanta të përfshirë në sistemin arsimor

By FerizajPress

June 29, 2016

Në Ferizaj u diskutua për gjithëpërfshirjen e nxënësve  me nevoja të veçanta në edukimin shkollor. Menaxherja e ‘’HANDIKOS’’-it në Ferizaj, Xhemile Murseli, tha se në bashkëpunim me Qendrën për Punë Sociale kanë filluar identifikimin e nxënësve me nevoja të veçanta të cilët nuk kanë qenë të përfshirë në sistemin arsimor.

‘’Tani ne jemi angazhuar në procesin e identifikimit të fëmijëve, mbështetjes së familjeve dhe referimit të tyre që fëmijët e tyre t’i regjistrojnë nëpër shkolla,së bashku më ekipin vlerësues planifikohet që të bëhet vlerësimi i fëmijëve dhe të jepen rekomandime menaxherëve të shkollave se ku do të ikuadrohen dhe si të punohet me fëmijët me aftësi të kufizuar’’ tha Murseli.

Drejtori i Qendrës për Punë Sociale, Shyqeri Mehmeti, tha se identifikimi i nxënësve me nevoja të veçanta, do të kontribuoj në përfitime të donacioneve të ndryshme për nevoja të tyre.

‘’Ne kemi dashur që në Ferizaj ta kemi një numër të saktë, me qëllim të hartimit të programeve të ndryshme për përfitimin e donacioneve të ndryshme për personat me aftësi të kufizuara, pasi që nëse nuk e kemi numrin e saktë se çfarë nevoja kanë atëherë nuk mundemi të kërkojmë donacione për ta, kështu që ne jemi duke punuar në terren që të identifikojmë këto raste’’, tha Mehmeti.

Ndërsa zyrtarë të drejtorisë së arsimit në Ferizaj, thonë se identifikimi i këtyre fëmijeve më së lehti mund të bëhet nga menaxhmenti i shkollave përkatëse.

‘’Po bëjmë hapa më të shpejtë për identifikimin e tyre, por do e shpejtonte procedurën nëse përfaqësuesit e shkollave do ta sjellin formularin të plotësuar të fëmijëve me aftësi të kufizuar. Ne para disa ditësh kemi mbajtë mbledhje dhe kemi kërkuar nga drejtorët e shkollave që të na i përcjellin fëmijët me nevoja të veçanta që e kanë sistemin arsimor, në mënyrë që të vinë tek ne që të bëjmë rivlerësimin e tyr’’, tha Afrim Llabjani.

Prindërit e fëmijëve me nevoja të veçanta thonë se implementimi i projektit për gjithëpërfshirjen e  këtyre fëmijëve në edukimin shkollor, do t’ua lehtësoj, qasjen në të nxënit.

‘’Që një muaj e sjelli djalin këtu në Handikos, ai ka vështërsi në të folur në mësim, dhe sjellja këtu ka filluar të jep efektin e vet, dhe ka filluar ti ndihmoj shumë, ka qenë mësuesja e tij që na ka propozuar që fëmijës sonë i duhet dhe një mbështetje tjetër,një mësim shtes ëdhe ne e kemi sjellur këtu’’, tha Ilire Bytyqi.

Në tërë teritorin e Republikës së Kosovës vetëm 11 % e fëmijëve me nevoja të veçanta janë të përfshirë në edukimin shkollor,  kurse në komunën e Ferizajt janë të përfshirë 184 fëmijë./ Televizoni Tema /