Editorial

VETËDIJESIMI SHTETËROR – URIME E GËZUAR 2020!

By FerizajPress

December 30, 2019

Salihe Salihu – PhD kandidat dhe veprimtare

Në festat e fundvitit shpeshherë mendojmë se si po e përmbylleni vitin që po e lëmë pas dhe se si ta kemi një vit të ardhshëm më të mbarë. Në parashikimet për vitin e ardhshëm nuk mund të bëjmë ndonjë ndarje strikte nga faktorët esencial që ndikojnë në mirëqenien e çdo njeriut. Ndër faktorë esencial është edhe kultura shtetërore që ndikon në mbarëvajtjen e shumë proceseve shoqërore por edhe private.Prandaj jo krejt rastësisht, në perspektivën politike, është nënvizuar se çdo gjë private është shoqërore dhe anasjelltas sepse e influencojnë njëra-tjetrën.

Në mbështetje të kësaj pikëpamje janë zhvilluar shtetet demokratike dhe kanë arritur ta shtrijnë e thellojnë demokracinë në shtetet e tyre dhe çdo shtetas është bërë rojtar i këtyre vlerave. Jo rrallëherë kur përshkruhen shtetet demokratike dëgjojmë të vihen në spikamë karakteristika individuale të shtetasve të tyre që në fakt karakterizojnë kulturën shtetërore të shtetasve për angazhimin e tyre të përditshëm dhe të përjetshëm për ta mbrojte shtetin e tyre.

Zakonisht, në zhargonin e gjuhës popullore angazhimi i shtetasve për ti mbrojtur vlerat demokratike përshkruhet duke e mveshë çdo shtetas me tipare të rolit policor dhe duke krahasuar për shembull shtetasin zviceran, gjerman apo nordik si me qenë policë. Shprehja bukfale në këtë raste që dëgjojmë është: a e ke pa si zviceranët, gjermanët apo suedezët që ruajnë si me qenë policë dhe lajmërojnë policinë edhe për mbeturina e mos të flasim për ndonjë gabim tjetër.

Në fakt, vlerësimi i rolit të shtetasit në shtetin e tij nga pikëpamja e perspektivës politike kategorizohet me dominimin e funksionimit të shtetit demokratik meqë shteti demokratik mund të forcohet, fuqizohet vetëm kur vlera demokratike rrënjosen, thellohen e mishërohen nga çdo shtetas i tij i cili është i vetëdijshëm për ta mbrojtë shtetin nga çdo shkelje duke filluar nga shkeljet më triviale apo më banale e deri te shkeljet më serioze e më të rënda. Pra, vetëdijesimi se çdo shtetas duhet të jetë mbrojtës i shtetit është parakusht që shteti mund të zhvillohet dhe të ruaj vlerat e shtetit demokratik apo që të kultivoj mirëqenien shtetërore.

Këtë status të funksionalizimit e dëshiron dhe e synon edhe shtetin ynë, Kosova sovrane. Çdo shtetas i Kosovës duhet t’a dijë se pa kontribuar për mirëmbajtjen e vlerave demokratike shtetërore nuk mund të presim që shteti do të mirëmbahet vetëm prej pushtetarëve, prokurorëve, gjyqtarëve, ushtarëve, policëve apo ndonjë personin me post tjetër në kuadër të institucioneve shtetërore.

Rrjedhimisht shtrohet pyetja konkrete se çfarë mund të bëjë një shtetas kosovar që ta mbron shtetin. Thjesht dhe lehtë mund të ndihmon çdo njëri duke raportuar apo diskredituar edhe para mediave apo formave tjera çdo shkelje. Lista e raportimit apo të diskreditimit mund të jetë shumë e gjatë por për të përmirësuar gjendjen duhet të vepron çdo shtetas sepse është obligim shtetëror dhe duhet ta funksionalizojmë shoqërinë e hapur demokratike e jo shoqërinë e mbyllur e të mikrobizuar nga frika dhe nga papërgjegjësia.

Përgjegjësi e çdo shtetasit është të jetë i gatshëm të mbrojë shtetin jo vetëm me pushkë nga armiqtë por me mbrojt shtetin çdo sekondë dhe minutë nga çdo tentim që e dëmton fuqizimin e demokratizimin e Kosovës.

Shteti ka nevojë për shtetas besnikë e të përgjegjshëm sikur se çdo familje që duhet të mbahet me besnikëri dhe përgjegjësi se në të kundërtën çdo gjë lëndohet. Definitivishtë, kur mungon besnikëria dhe përgjegjësia ndaj shtetit mund të dëmtohet rënd baza e zhvillimit të shtetit demokratike por mund të shkojë edhe më tej dhe të vihet në pikëpyetje ekzistenca e tij.

Kështu që në përfundim të këtij viti duhet të mendojmë se si mund të vetëdijesohemi që ti mbrojmë vlerat e shtetit demokratik nëse vërtetë e dëshirojmë që Kosova të shtrijë e thellojë funksionimin e kulturës demokratike në çdo kënd të shoqërisë sonë.

Uroj të vetëdijesohemi të gjithë si shtetas kosovar, Urime e Gëzuar 2020!