Lajme

Veseli priti ministrin e Jashtëm Britanik, Boris Johnosn

By FerizajPress

November 10, 2016

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, priti sot ministrin e Punëve të Jashtme dhe të Komonuellthit të Mbretërisë së Bashkuar, njëherësh deputet i Parlamentit, Boris Johnson, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në vendin tonë.

Kryetari Veseli dhe ministri Johnon diskutuan për marrëdhëniet e shkëlqyera midis Kosovës dhe Britanisë së Madhe, ndërsa në shenjë nderimi, shkëmbyen dhurata.

Më pas, ministri i jashtëm britanik iu adresua me një fjalë rasti Kuvendit të Republikës së Kosovës, në një seancë solemne të thirrur për nder të tij.

Fillimisht, duke përshëndetur dhe i uruar mirëseardhje në Kosovë dhe në Kuvendin e saj mysafirit nga Britania e Madhe, kryeparlamentari Veseli tha se kjo vizitë është shprehje e marrëdhënieve shumë të mira që janë ndërtuar midis dy vendeve, si dhe shprehje e përkushtimit të vazhdueshëm të Britanisë së Madhe për të ndihmuar Kosovën.

Britania e Madhe, shtoi kryetari Veseli, ka qenë gjithmonë pranë Kosovës dhe emri i saj është i lidhur në mënyrë të pandashme me historinë e lirisë dhe pavarësisë sonë. Populli i Kosovës dhe përfaqësuesit e tij të zgjedhur, tha kryetari i Kuvendit, do t’i jenë gjithmonë mirënjohës këtij shteti mik.

“Ne sot në Kosovë, jemi duke ndërtuar një shtet dhe shoqëri, të frymëzuar nga vlerat themelore të shtetit dhe popullit britanik: demokracia liberale, ekonomia e tregut të lirë, shoqëria e hapur, sundimi i ligjit, liritë dhe të drejtat e njeriut. Të përkushtuar në këto vlera, ne jemi të vendosur të thellojmë miqësinë dhe bashkëpunimin me shtetin tuaj. Vizita juaj e sotme në Kosovë, mesazhet e saj, janë fuqizim domethënës i këtij bashkëpunimi”, theksoi kryetari Veseli.

Duke marrë fjalën para deputetëve, ministri i jashtëm britanik, Boris Johnson, kujtoi periudhën e luftës në Kosovë, kur mijëra shqiptarë po depërtoheshin dhunshëm nga vatrat e tyre dhe fshatra të tëra po digjeshin e rrafshoheshin me tokë.

Në vazhdim, Johnson foli për ndihmën që NATO-ja dhe bashkësia ndërkombëtare në tërësi, i dha Kosovës për krijimin e një shoqërie dhe shteti të ri. Ai tha se është e mrekullueshme ta shohësh Prishtinën, nga një qytet i shkatërruar e me xhama të thyer gjatë luftës, të ndërtuar e më shumë restorante sot.

Ministri i jashtëm britanik tha se ndihet krenar që Britania e Madhe është një ndër shtetet e para që e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Ai shtoi se Kosova, si një shtet i pavarur, i njohur nga 112 vende të tjera, është një gjë e mrekullueshme.

Ai tha se shteti i tij mbështet shumë krijimin e vendeve të punës dhe zhvillimin ekonomik në Kosovë, ndërsa u shpreh i bindur se lidhjet ekonomike midis dy vendeve janë duke u zhvilluar.

Zyrtari i lartë britanik foli edhe për sfidat e përbashkëta, siç është lufta kundër terrorizmit, ekstremizmit të dhunshëm, korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Më pas, Johnson u ndal edhe te marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke shtruar nevojën e një marrëdhënie normale midis dy vendeve.

Ministri i jashtëm britanik foli edhe për rolin e Gjykatës Speciale, ndërsa i shprehu ngushëllime familjes së Astrit Deharit, duke inkurajuar  hulumtimin e pavarur të vdekjes së tij.

Në përfundim të fjalës së tij, Johnson tha se Kosova ka shumë sfida para vetes, por u shpreh i sigurt se ajo do t’i tejkalojë ato.Lajmi.net

.