Lajme

Veseli: PDK-ja e gatshme për zgjedhje, por t’i respektojmë afatet ligjore

By FerizajPress

November 24, 2016

Kreu i PDK-së, në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ka deklaruar se reforma zgjedhore është e domosdoshme, në mënyrë që të prodhohen zgjedhje më të mira në Kosovë. Ai ka dhënë disa propozime konkrete se si mund të avancohet procesi zgjedhor nëpërmjet reformës.

Në këtë intervistë Veseli ka folur edhe për zgjedhjet në Drenas. Ai ka thënë se PDK-ja do ta vazhdojë traditën e fitoreve bindëse dhe qeverisjes së mirë. Sipas Veselit, Drenica është e lënduar me zgjedhjet e jashtëzakonshme, por qytetarët do të flasin shumë qartë më 4 dhjetor Këto javë kemi një iniciativë të presidentit Thaçi për reformën zgjedhore. Sa e konsideroni të rëndësishme këtë reformë dhe a besoni realisht se ajo mund të bëhet në rrethanat aktuale teksa kemi një opozitë që refuzon bashkëpunimin?

Veseli: Reforma zgjedhore është e një rëndësie të madhe dhe është e domosdoshme. Paritë opozitare, fatkeqësisht, janë çimentuar në pozicionet e veta armiqësore ndaj institucioneve të shtetit, duke shpresuar se kështu përfitojnë politikisht. Ato duhet të jenë të përgjegjshme kur bëhet fjalë për interesat e përgjithshme të vendit dhe jo çdo veprim ta kalkulojnë vetëm për interesa personale. Ne kemi nevojë për një debat konstruktiv të të gjitha subjekteve politike për zgjedhjet, për mënyrat e votimit dhe për gjithçka që ndërlidhet me sistemin tonë zgjedhor.

Natyrisht, kjo reformë mund të mos jetë e lehtë, por është mirë që ajo të kryhet, në mënyrë që të kemi procese zgjedhore sa më të mira. Gjithashtu, ligjet për zgjedhje, përkundër frymës demokratike, për shkak të disa mangësive, kanë nevojë për ndryshime. Por, ne nuk duhet të mjaftohemi vetëm me konstatime të përbashkëta, mirëpo duhet edhe punë e përbashkët që ta forcojmë demokracinë përfaqësuese në institucione. Duhet gjithsesi ta kemi një thjeshtësim të procesit zgjedhor dhe ne, përfaqësuesit e subjekteve politike, duhet të debatojmë së bashku për të gjitha çështjet që do ta bënin këtë proces më të besueshëm dhe më transparent. Presidenti i vendit ka filluar një iniciativë serioze dhe unë si kryetar i PDK-së pres që kjo reformë të përfundojë deri në fund të dhjetorit. Andaj, është mirë që partitë opozitare mos ta humbasin shansin që të jenë në këtë proces. Ku e mbështetni konkretisht nevojën për ndryshime? Vlerësoni se nuk janë mjaftueshëm “përfaqësues të popullit” të zgjedhurit me sistemin aktual zgjedhor?

Veseli: Janë të shumta fushat për të cilat kemi nevojë të debatojmë, duke filluar nga transparenca në numërimin e votave, çështjet që ndërlidhen me sistemin zgjedhor siç është pragu, votimi jashtë vendit, përdorimi i teknologjisë në numërim, votimi me kusht dhe të tjera dilema që mund të ekzistojnë. Tashmë janë bërë vite që kemi organizuar dhe mbajtur zgjedhje në Kosovë dhe të gjithë i kemi parë mbarëvajtjet dhe të metat e tyre. Gjithashtu, kemi pasur mundësi t’i analizojmë edhe modelet. Për ta pasur një model të përshtatshëm për specifikat tona, natyrisht se nevojitet kontributi i të gjithëve.

Mjafton të flasim vetëm për një problem të caktuar dhe shohim se ka argumente të shumta “për” dhe “kundër”, por ato kryesisht bazohen në interesat e partive politike dhe jo në interesin e qytetarëve. Sistemi i një zone zgjedhore, edhe pse ka mangësi dhe mund të mos krijojë mundësi të barabarta për të gjithë, është më i thjeshtë dhe përfshin shumë mirë edhe komunitetet dhe kërkesat e tyre. Nuk krijon mundësi të barabarta, sepse kandidatëve u pamundësohet ta fitojnë mandatin në një zonë zgjedhore, duke ndikuar në këtë mënyrë edhe në dobësimin e lidhjes përfaqësues i popullit dhe popull ose, thënë më qartë, lidhjen mes deputetit dhe qytetarit që përfaqëson, por për të gjitha këto ne duhet të përcaktohemi bashkë. Pra, ka argumente të ngjashme edhe për shumë çështje të tjera zgjedhore, që duhet të trajtohen në kuadër të reformës zgjedhore. Cilat janë kërkesat dhe rekomandimet tuaja si PDK në nismën për këtë reformë?

.