Lajme

Veseli në hapjen e fushatës për promovimin e Regjistrit të Diasporës

By FerizajPress

July 09, 2016

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, mori pjesë në hapjen e fushatës për promovimin e Regjistrit të Diasporës, me moton “Ti je pjesë e atdheut”, e cila u bë sot në Prishtinë, nën organizimin e Ministrisë së Diasporës.

Duke e konsideruar ditën e sotme si shumë të veçantë, kryetari Veseli theksoi se fushata e regjistrimit të diasporës përbën një veprim shumë të qëlluar në drejtim të adresimit të problemeve me të cilat ballafaqohen bashkatdhetarët tanë, thuhet në njoftim.

Veseli tha se diaspora është pjesë e atdheut, e qenësisë dhe e historisë së dhimbshme nga vitet më të rënda të popullit tonë, të cilët u larguan nga vendi të rrethuar nga shumë rreziqe.

“Ata sot me krenari janë pjesë e universiteteve më të mira evropiane dhe botërore, janë pjesë e kulturës dhe e zhvillimit ekonomik të vendeve ku jetojnë, gjë e cila neve na bën shumë krenarë. Ata kanë arritur të krijojnë ndërmarrje dhe të kenë dhjetëra mijëra të punësuar”, theksoi Veseli.

Më tej, Veseli përmendi personalitete nga kultura, të cilët dhanë kontribut në vendet ku jetojnë.

“Ata jetojnë me neve, me të arriturat tona, vështirësitë dhe sakrificat tona. Ata jetojnë me shpirt në Kosovë dhe duan ta shohin Kosovën të zhvilluar e të përparuar”, theksoi kryetari Veseli. Ai shtoi se bashkatdhetarët tanë nuk janë numra, por janë vlerë e popullit tonë, e të gjitha profileve, dhe aseti më i vlefshëm i popullit tonë, që ende nuk është kyçur sa duhet në zhvillimin e vendit.

Kryetari i Kuvendit kërkoi nga regjistruesit, qytetarët dhe institucionet, që të sillen mirë me bashkatdhetarët, sepse ata kanë dhënë, po japin dhe do të japin shumë për Kosovën.

Në vazhdim, kryeparlamentari Veseli theksoi se ky regjistrim do të evidentojë kapacitetet e diasporës, kapacitetet i cili ende nuk është shfrytëzuar sa duhet, ndërsa shtoi se Kuvendi i Republikës së Kosovës i ka dyert i hapura për të gjithë bashkatdhetarët dhe tashmë organizon në mënyrë tradicionale “Dyert e hapura për diasporën”.