Lajme

Veseli: Mos lejoni manipulime nga njerëzit që e shohin vetëm karrikën

By FerizajPress

February 06, 2017

Sipas tij muri më nuk do të ketë, por do jetë një hapësirë e gjelbëruar në afërsi të Urës së Ibrit, raporton lajmi.net

“Muri më nuk do të ketë, ai është rrënuar. Nesër do ketë një projekt të ri i cili do jetë në përputhje me institucionet e Kosovës, dhe që do të garantojë lëvizjen e lirë”, ka thënë Kryetari i Kuvendit.

Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos bien pre e e manipulimeve nga njerëzit që sipas tij e shohin vetëm karrikën, dhe që paguajnë çdo çmim vetëm për të qenë në pushtet.

“Mos lejoni manipulime nga njerëzit që e shohin vetëm karrikën dhe që paguajnë çdo çmim për të qenë në pushtet, ata nuk ja duan të mirën Kosovës. Edhe disa që kanë ikur që u frikësuan se do të bëhet lufta, le të kthehen në Kosovë mos të tuten, sepse këtu duhet me nejt edhe kur është mirë edhe kur është keq”, deklaroi Kadri Veseli.

Kurse duke folur për krijimin e mundshëm të Forcave të Armatosura të Kosovës, kreu i Kuvendit deklaroi se krijimi i ushtrisë së Kosovës është një realitet i cili do të ndodhë shumë shpejt.

“Ushtria e Kosovës do të formohet shumë shpejt. Por është e rëndësishme që ky vendim të merret së bashku me bashkësinë ndërkombëtarë”, ka thënë Kadri Veseli. /Lajmi.net/