Lajme

Veseli: Dilemat dhe kundërshtimet rreth shënjimit të kufirit me Malin e Zi duhet të sqarohen në mënyrë që vendi të ecë përpara

By FerizajPress

August 03, 2016

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli në debatin për demarkacionin me Malin e Zi tha se organizimi i këtij debati është mënyra se si duhet të funksionojë shoqëria kosovare, me fakte e me argumente.

Ai tha se kjo është mënyra më e mirë që të punohet për ata të cilët ua kanë dhënë besimin.

Kryetari i Kuvendit tha se kjo është një mundësi shumë e mirë që brenda institucionit të zgjedhur të popullit të ballafaqohen argumentet.

“Ne si gjeneratë, nuk jemi të thirrur t’i ndreqim padrejtësitë e së kaluarës, por të garantojmë të tashmen dhe të ardhmen e shtetit të Kosovës, të shpallur më 17 Shkurt të vitit 2008. Ne jemi shtet sovran. Kufijtë dhe territori ynë janë të paprekshëm. Ne udhëhiqemi nga politika e fqinjësisë së mirë dhe nuk kemi pretendime territoriale ndaj asnjë shteti tjetër. Pavarësia e Kosovës ka fuqizuar paqen, sigurinë dhe demokracinë në rajonin tonë. Të gjithë ne, pavarësisht dallimeve politike, qëndrojmë të bashkuar rreth këtyre parimeve. Dilemat dhe kundërshtimet rreth shënjimit të kufirit me Malin e Zi duhet të sqarohen në mënyrë që vendi të ecë përpara. Askush nuk e do stagnimin dhe bllokimin. Vetë interesimi i gjithanshëm që ka ngjallur ky debat e dëshmon këtë. Le të jetë pra ky një fillim ri. Një fillim i përbashkët. Një fillim që do të meritojë të shënohet në fletët ende të pashkruara të historisë sonë”, tha Veseli. /Lajm