Ardiana Kukaj e cila ka një sipërmarrje të rrobaqepësisë ka kërkuar mbështetje më të madhe institucionale për rritjen e kapaciteteve prodhuese.
“Neve si rrobaqepëse që jemi me na mundësu pak a shumë tregtinë e eksportit. Pse për shembull Turqia me sjell fustana këtu me shitë. Pse kur ne si Kosovë mundësitë i kemi, materiale ka, edhe makinat i kemi në këto kushte që janë dhe mund të punojmë vet. Pra kisha kërkuar nga Qeveria që me na rregullu mënyrën e eksportit që edhe ne si Kosovë me pasë mundësi me dërgu fustana jashtë, në Turqi, Gjermani, Zvicër, e jo vetëm ata me shitë tek ne”, ka thënë Kukaj.
Ndërsa sipërmarrësja Vahide Ndrecaj tha se po të kishte mbështetje më të madhe, ajo do të kishte mundësi që ta rriste prodhimtarinë dhe do të punësonte më shumë gra në biznësin e saj.
“Kushtet familjare nuk na lejojnë për ta zgjeruar biznesin më tutje. Tash me pasë mundësi me ndihmu me ndonjë grant ose më të holla ose me teknikë me na ndihmu që me zgjeru biznesin”, tha Ndrecaj.
Pasi bashkëbisedoi dhe dëgjoi idetë e grave sipërmarrëse, kryetari Veseli tha se idetë e tyre do t’i shërbejnë për të ndërtuar platformë zhvillimore e cila do tu jep më shumë mbështetje grave në biznes dhe do të fuqizojnë rolin e tyre në vendimmarrje dhe shoqëri.
“Nuk ka shtet të fuqishëm pa ekonomi të zhvilluar dhe nuk ka ekonomi të zhvilluar pa biznese të vogla të cilat janë të shëndosha dhe janë të përkrahura. Unë ju kam dëgjuar sot dhe nuk ju kam dëgjuar për të heshtur, të jeni të sigurt. Po as për të mbetur këto në ambiente të mbyllura, kudo që po shkoj. Përkundrazi kanë me qenë obligime të mia”, ka thënë kryetari Veseli.
Kadri Veseli tash e disa javë ka filluar turin e dëgjimit ku po zhvillon takime me kategori të ndryshme në të gjitha qytetet e Kosovës për të dëgjuar prej tyre ide dhe për të bashkëbiseduar për të ardhmen. /Lajmi.net/